Dërgesat nga toka gjithnjë e më të vështira, SHBA po shqyrton mundësinë që të hedhë me avionë ndihma në Gaza

schedule09:59 - 29 Shkurt, 2024

schedule 09:59 - 29 Shkurt, 2024

Administrata e presidentit Joe Biden, po shqyrton mundësinë që të hedhë me avionë ushtarakë amerikanë ndihma në Gaza, pasi dërgesat nga tokapo bëhen gjithnjë e më të vështira, sipas një zyrtari amerikan.

Ofensiva e ushtrisë izraelite kundër Hamasit,  grupit palestinez të shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Europian në Gaza ka rrafshuar shumicën e enklavës, duke vrarë afër 30.000 persona dhe duke detyruar pothuajse gjysmën e popullsisë prej 2.3 milionë banorësh që të zhvendoset.

Lufta ka shkaktuar krizë humanitare, teksa shumë përballen me urinë.Sipas të dhënave të Kombeve të Bashkuara, volumi i ndihmës humanitare që ka hyrë në Gaza në shkurt është përgjysmuar në krahasim me muajin janar.

Të paktën 576.000 persona në Rripin e Gazës,  një e katërta e popullsisë janë në prag urie, tha Zyra për Koordinim të Çështjeve Humanitare e OKB-së.

OKB shtoi se një në gjashtë fëmijë nën moshën dyvjeçare në veri të Gazës vuan nga kequshqyerja akute dhe praktikisht të gjithë banorët në enklavën palestineze varen nga ndihmat ushqimore për të mbijetuar “që mjerisht janë të pamjaftueshme”.

Zëvendësambasadori i SHBA-së në Izrael, Jonathan Miller, i cili ishte i pari që të martën përmendi mundësinë e dërgimit të ndihmave nga ajri. Përveç SHBA-së, edhe Kanadaja ka deklaruar se po punon për të dërguar ndihma humanitare nga ajri.

Lufta në Gaza nisi pasi Hamasi sulmoi Izraelin më 7 tetor, duke vrarë 1.200 persona dhe duke rrëmbyer afër 250 të tjerë.

Ushtria izraelite u kundërpërgjigj me ofensivë të ashpër ajrore dhe tokësore.

/abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!