Derbi në Transfermarkt: 4 milion € formacion, ja 11 më të shtrenjtët e kryeqytetit

schedule00:21 - 4 Dhjetor, 2020

schedule 00:21 - 4 Dhjetor, 2020

Tirana apo Partizani? Rezultati do të vendoset në fushë, ku lojtarët e të dyja ekipeve do të bëjnë maksimumin e tyre. Kjo është e garantuar, pasi kemi të bëjmë me një ndeshje derbi dhe si zakonisht nuk do të mungojnë deklarata e zakonshme “që derbi luhet për t’u fituar, derbi nuk ka favoritë, apo që i ka të tria rezultatet brenda”.

Të dyja ekipet në përbërje kanë lojtarë cilësorë, që kanë edhe vlerat e tyre në treg. Faqja e specializuar për këtë qëllim, Transfermakt, së fundmi ka përditësuar shifrat dhe nëse ndërton një formacion me lojtarët më të vlerësuar nga Tirana dhe Partizani, janë bardheblutë ata që dominojnë. Shtatë lojtarë të bardhebluve janë në formacionin më të shtrenjtë të kryeqytetit dhe pjesa tjetër plotësohen nga “demat”.

 

PORTA – Visar Bekaj dhe Alban Hoxha, përballë njëri-tjetrit. Portieri i kampionëve në fuqi, i transferuar këtë verë në Superiore, është më i shtrenjti në kampionatin tonë. Gjithmonë referuar shifrave të Transfermarkt. 23-vjeçari vlerësohet me 350 mijë euro. Alban Hoxha, pjesë edhe e kombëtares shqiptare, vlen 100 mijë euro më pak. Mosha ka ndikimin e vete, pasi “gardiani” i Partizanit është dhjetë vite më i madh.

MBROJTJA – Reparti me më pak alternativa te Partizani dhe me vetëm një lojtar që mund të përfshihet në formacionin me lojtarët më të shtrenjtë të kryeqytetit. Egzon Belica e ka vlerën 300 mijë euro, ndërkohë që te Tirana këtë verë janë afruar emra si Kristijan Toshevksi dhe Filip Najdovski, kampionë vjet me Vardarin në Maqedoninë e Veriut. Edhe pse vlera u ka ardhur në rënie, ata vlerësohen me 375 mijë euro. Prapavija plotësohet me Marseli Ismajlgecin, vlera të cilit tashmë ka shkuar në 325 mijë euro.

 

MESFUSHA – Idriz Batha dhe Jurgen Çelhaka vijnë pas një sezoni super dhe tashmë ata vlejnë 400 mijë euro, pa rivalë në kryeqytet. Te Partizani ka pasur rritje Rron Broja, por djaloshi nga Kosova vlerësohet vetëm me 300 mijë euro. Para tyre, si fantazist apo gjysmësulmues, Ernesi Muçi është ai që e merr vendin. I riu, pjesë e Shqipërisë U21, tashmë vlerësohet me 425 mijë euro, duke u bërë një nga lojtarët më të vlerësuar të Superiores. Rënie për Jurgen Bardhin, që tani e ka vlerën 300 mijë euro. 125 mijë euro më pak nga sezoni i shkuar.

SULMI – Tirana në merkaton e verës humbi Michael Ngoo, ndërkohë që së fundmi u largua edhe Ëinnful Cobbina. Ndryshe ndodhi te Partizani, që nuk ka lëvizur shumë. Esat Mala, edhe pse me vlerën në rënie prej sezonit të fundit që qëndroi për disa kohë jashtë fushave të blerta, merr vendin në krahun e djathtë pasi vlerësohet me 275 mijë euro. Në krahun e majtë, William Cordeiro nuk ka rivalë, pasi vlera e tij në Transfermakt është 425 mijë euro. Tirana në majë të sulmit ka Sasrackun dhe Avdiajn, me vlerësime të ulëta, kurse Solomon i Partizanit vlerësohet me 300 mijë euro, më shumë se të gjithë sulmuesit e tjerë në këto dy ekipe. / Vladimir Prenga/ abcnews.al

 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!