Derbi në merkato, Milan e Inter në “garë” për “shkatërruesin” danez

schedule19:14 - 2 Korrik, 2024

schedule 19:14 - 2 Korrik, 2024

Është padyshim, një prej përballjeve më “të nxehta” në botën e futbollit, me “Derbin e Madoninës”, mes “Zikaltërve” të Inter dhe “Kuqezinjve” të Milan, që dhuron përherë spektakël për tifozët, mirëpo këtë herë derbi është zhvendosur në një tjetër aspekt të këtij sporti, në merkaton e futbollistëve, me dy klubet e Milanos, që janë vënë pas të njëjtit objektiv.

Bëhet fjalë për “shkatërruesin” danez, Pierre-Emile Hojbjerg, me 28-vjeçarin, i cili është prej 4 vitesh pjesë kyçe e formacionit titullar, të skuadrës së Tottenham, mirëpo me vetëm 1 vit të mbetur në kontratën e tij, me “londinezët”, duket se “vikingu” i mesfushës është gati për një aventurë të re, pas përfundimit të Euro 2024.

Sipas specialistëve të Transfermarkt, kartoni i Hojbjerg vlerësohet në 18 milionë euro, megjithatë një ofertë prej 15 milionësh mund të jetë mëse e mjaftueshme dhe sa i përket kontratës personale, 3.3 milionë euro është shifra e duhur për të bindur danez, me “gjigantët” e Milanos që janë në garë për shërbimet e tij dhe jo vetëm, pasi për danezin interesohen edhe “Los Colchoneros” e Atletico Madrid.

Ndërkaq, kujtojmë se për Hojbjerjg, Tottenham është skuadra e pestë në karrierë, teksa më herët ka veshur fanellat e Brondby, Bayern Munich, Schalke 04 e Southampton. Me Kombëtaren e tij, Hojbjerg ka zhvilluar në total 80 paraqitje, ku ka shënuar edhe 10 gola, teksa është një prej protagonistëve të Danimarkës edhe në Euro 2024, teksa u shpall lojtari më i mirë i ndeshjes, në sfidën e Grupit C, përballë “Tre Luanëve”, të Anglisë. /i.m /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!