Gabimet kanë qenë të panumërta, e pra mund të quhen faje. Tirana vetëm 8 vjet më parë e ka parë veten në pozitë kaq të vështirë, ndërsa derbi ndaj Partizanit që luhet sonte në “Arenën Kombëtare” në orën 20:00, mund të cilësohet një finale.
Në vendin e fundit me vetëm 32 pikë, skuadra rekordmene e titujve në Superligë ka alternativë të vetme fitoren, për të mos mbetur edhe më shumë prapa rivalëve për mbijetesë.
Gjithsesi, pikërisht në këto momente, skuadra ka mungesa të shumta, si mesfushorin kryesor Rafael Silva, që është I pezulluar, por edhe të huajin tjetër, sulmuesin Abel që është I dëmtuar.
Problem për trajnerin Shkëmbi është edhe forma jo e mirë e sulmuesit tjetër, Zharmun, ndërsa ish-kapiteni I Skënderbeut kërkon reagim.
Skënder Gega ka kthyer besimin tek Partizani, ndonëse skuadra nuk e ka cilësinë e rivalëve për titull.
Të kuqtë vijnë në derbi me vetëm një mungesë, Bytyçin, por sfidë më vete është lodhja e mesjavës, pasi Partizani luajti dhe fitoi 1-0 në Rrogozhinë gjysmëfinalen e parë të Kupës kundër Egnatias.
Tirana ka pasur një javë të plotë për t’u përgatitur.
Trajneri Skënder Gega respekton rivalin dhe kërkon maksimumin.
Të treja ndeshjet derbi të këtij sezoni kanë përfunduar në barazim, dy herë 0-0 dhe një herë 1-1, ndërsa në total, Tirana është paraqitur shumë dobët, ndërsa Partizani është në vendin e katërt me 47 pikë dhe pretendon titullin. Në stadium priten mbi 10 000 tifozë, pra atmosfera do të jetë e shkëlqyer./abcnews.al