Derbi i çuditshëm, Hyka: Muçi super, i shënon Partizanit! Daja arma e “demave”

schedule09:18 - 4 Dhjetor, 2020

schedule 09:18 - 4 Dhjetor, 2020

Tirana dhe Partizani përballen sot prej orës 18:00 për herë të parë në këtë sezon. Quhet derbi dhe përveç rivalitetit, të rikthen edhe pas në kohë. Dhe nëse e bëjmë këtë nuk mund të mos e kujtojmë Jahmir Hykën, i cili dikur  “vallëzonte” në fushë i veshur bardheblu. Tani ka ngjyra të tjera, por zemra i ka mbetur te 25 herë kampionët.

Para këtij derbi, Abcnews.al mori mendimin e tij rreth derbit dhe gjendjes së dy skuadrave. Normalisht Hyka fillimisht flet për veten dhe eksperiencën e re në Kinë. Guizhou Zhicheng është stacioni i radhës për Hykën, i cili gjatë karrierës ka provuar disa kontinente. Tiranasi shprehet se është ambientuar mirë në Kinë dhe zbulon se Azia do të jetë i fundit kontinent që do luajë gjatë karrierës së tij.

“Kina është aventurë e re. Në fillim kur arrita kisha pak kohë pa luajtur, me karantinimin që bëra. Në ndeshjet e para kisha pak nevojë për kohë që të kapja formën dhe me kalimin e kohës u ambientova dhe arrita maksimumin.  Kam provuar shumë eksperienca. Azia, Kina ishte diçka e re dhe e paprovuar.

Në futboll asnjëherë nuk i dihet se çfarë mund të ndodhë, gjithsesi mendoj se do jetë kontinenti i fundit sepse vështirë të luaj edhe në Australi. Do jetë diçka e vështirë të plotësohet në këto momente dhe s’besoj se do ketë ndonjë lëvizje në atë vend (qesh)”, tha fillimisht 32-vjeçari.

 

Hyka më pas kalon te derbi dhe sigurisht që dëshiron që të vishet bardheblu. “Kampionatin shqiptar këtu në Kinë nuk e kam ndjekur shumë, e kam fjalën për të parë ndeshjet drejtpërdrejt. Ndryshimi i orarit ka ndikuar, por kam parë rastet dhe rezultatet. Me sa kam parë ,duket se Partizani është në gjendje më të mirë.

Tirana nuk e ka nisur shumë mirë kampionatin, kështu që mbetet për t’u parë. Natyrisht dua që derbin ta fitojë Tirana. Për momentin Partizani është më mirë psikologjikisht. Duke parë ndryshimet teTirana, mendoj se do pak kohë që ta marrë veten.

Por në fund derbi mbetet derbi dhe gjithçka është e hapur. Nuk ka të bëjë fakti nëse je mirë apo keq në atë moment. Një ndeshje është dhe derbin e fiton çdokush. I kanë shanset e barabarta. Shpresoj që ta fitojë Tirana”.

Te Tirana gjatë muajve të fundit kanë ndodhur shumë lëvizje duke nisur nga largimi i ish-drejtorit Arbi Laçi, e deri tek ai i trajnerit Emmanuel Egbo. Hyka qëndron larg këtyre zhvillimeve dhe nuk zgjedh të gjykojë askënd. “Për lëvizjet e fundit te Tirana në klub dhe staf nuk kam një koment. Jam totalisht jashtë këtyre ngjarjeve dhe nuk mund të kem një opinion”.

 

Vitin e shkuar ishte thuajse e njëjta skuadër, por Partizani nuk arriti asgjë, ndryshe nga ç’duket se do bëjë këtë sezon. Për Hykën padyshim ky është efekti i të pasurit trajner Ilir Dajën. “Profesorin e kam njohur te ekipet e moshave dhe vëllai im e ka pasur trajner. Ajo që ka bërë në ekipet e kampionatit shqiptar tregon qartë për punën e mirë dhe seriozitetin që ka si trajner. Partizani e ka pasur ekipin dhe kanë vite që luajnë bashkë, por padyshim ardhja e Ilir Dajës luan rol të madh”, tregon ai.

Tirana dhe Partizani janë ndër ekipet me lojtarët më të spikatur në Kategorinë Superiore. Mes tyre Hyka veçon atë që Tirana e sheh si “varkë shpëtimi” sot: Ernest Muçin. “Të dy ekipet kanë lojtarë shumë cilësorë, të cilët mund të bëjnë karrierë akoma edhe më të mirë. Nuk i njoh shumë nga afër sepse nuk kam luajtur dhe punuar me ta, por do veçoja Muçin.

E kam ndjekur edhe pak vetë kur jam stërvitur te Tirana për një periudhë të shkurtër kur kisha pushime nëpër ekipet e mia dhe i kam parë cilësitë e tij. Më duket lojtar që mund të arrijë shumë më shumë dhe të luajë jashtë, nëse do të punojë shumë normalisht”.

 

Në sezonin 2007-08 Hyka ka qenë në fushë në derbi dhe ka provuar shijen e një ndeshjeje të tillë. Ai i kujton edhe njëherë ato ndjenja të forta sportive. “Emocionet e derbit dihen. Kam luajtur dy ose tre herë ndaj Partizanit, por atmosfera e derbit ndihej dy a tre javë para. Edhe vetë tifozët në rrugë kur i takon vetëm për atë ndeshje flasin.

Dihet vlera që ka, është atmosferë shumë e bukur. Sigurisht është ndeshje që të vë edhe përballë përgjegjësisë. Çdo lojtar vihet në presion mbase, por është gjë e mirë sepse edhe presioni në një ndeshje të bën që të japësh maksimumin dhe të përqendrohesh më shumë. Kjo është e bukura e derbit, se jep më shumë se ti mendon se mundesh”.

Pandemia e ka larguar nga shkallët atë për të cilën luhet futbolli, tifozerinë. Jahmiri e di mirë gjithë handikapin që ka një futbollist kur sheh shkallët e stadiumit bosh. “Është shumë e çuditshme dhe aspak e mirë. Si për futbollin në përgjithësi, ashtu edhe për lojtarët dhe për të gjithë.

 

Siç e thashë edhe më parë, tifozët janë ata që e ngrejnë atmosferën e derbit dhe të çdo ndeshjeje. E pamë edhe vjet ce çfarë atmosfere u krijua në stadium dhe çfarë ndeshje u bë. Tifozeria i jep tjetër pamje derbit, por në këtë situatë nuk kemi shumë zgjidhje. Të shpresojmë të përfundojë sa më shpejt pandemia dhe të kthehen në stadium”.

Presidenti i Tiranës, Refik Halili gjatë intervistave të mëparshme ka treguar se është i gatshëm ta mirëpresë fantazistin te Tirana. Dëshira qëndron edhe te ish-ylli bardheblu dhe gjithçka mbetet çështje kohe.

“Unë gjithmonë e kam thënë: E kam nisur te Tirona, jam tifoz i Tironës dhe do kisha shumë qef ta mbyllja te Tirona. S’besoj se ka më nevojë për koment. Të shohim se ç’do të ndodhë në të ardhmen”.

Skedinat në vendin tonë për momentin nuk lejohen, por Hyka e vendos me rezultat në kokë. Për shënuesin nuk lodhet shumë. “Ndeshja del 2-1 për Tiranën. Them se shënon Muçi”, përfundon tiranasi në prononcimin e tij./ Denis Lala/ abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!