Stadiumi “Selman Stërmasi” pritet të jetë i mbushur plot për derbin. Biletat janë drejt fundit, për shkak të interesimit tepër të madh të tifozëve
Kanë qenë gjithnjë pjesa më e bukur e sfidës. Tifozët i kanë dhënë bukuri të rrallë derbit, edhe kur ai nuk ka kënaqur në fushë, dhe nuk pritet të jetë përjashtim dueli i kësaj të premteje.
Stadiumi “Selman Stërmasi” pritet të mësyhet nga mijëra përkrahës, sidomos bardheblu, por edhe mbi 1 000 të Partizanit, ndërsa biletat janë drejt fundit. Në biletarinë e stadiumit ka gjithnjë e më pak mundësi për të blerë shansin për ta ndjekur ndeshjen nga tribunat.
Në këtë biletari mund të blejnë vetëm tifozët e Tiranës, pasi ata të Partizanit e kanë marrë të gjithë sasinë që u takon dhe e menaxhojnë në bazën e tyre të tifozëve pranë 21 Dhjetorit.
Tifozët bardheblu presin më në fund fitore, pas pesë vitesh. Pritshmëria e publikut bardheblu është e lartë, dhe ata shpresojnë që skuadra e Memës nuk do t’i zhgënjejë, por do ta fitojë ndeshjen më të ndjerë prej tyre./abcnews.al