Deputeti slloven jep dorëheqjen për një sanduiç  

schedule19:31 - 15 February, 2019

schedule19:31 - 15 February, 2019

Një deputet i Parlamentit slloven ka dhënë dorëheqjen për një arsye që pak kush do ta mendonte kur bëhet fjalë për një ligjvënës. Largimi nga dyqani pa paguar një sanduiç e ka prekur në ndërgjegje politikanin, i cili ka zgjedhur të braktisë mandatin.

Ky është Darij Krajçiç, deri dje deputet nga radhët e partisë së kryeministrit Slloven Marjan Sharec. Të mërkurën ai gjatë debatit në komisionin parlamentar lidhur me mekanizmin e kontrollit të produkteve ushqimore, mbase duke dashur të jetë sa më bindës, tha se këto mekanizma janë të mirë nëse respektohen nga të gjithë, por shtoi se mbikëqyrjes edhe i shpëton diçka. Pyetur kush, ai e kishte ilustruar këtë me një veprim të tijin: kishte hyrë në dyqanin afër parlamentit, kishte marrë një sanduiç dhe kishte kaluar arkën pa e paguar atë: “Prita të paguaj, sigurisht disa minuta, prita, por aty ke arka tre-pesë njerëz bisedonin, duke mos ma vënë veshin.

Prita prita dhe dola pa paguar. Dhe askush nuk vrapoi pas meje, megjithëse aty ka shumë kamera të mbikëqyrjes”, tha Krajçiç që është edhe doktor i shkencës dhe pedagog në Universitetin e Lubljanës.

Kolegët e tij, raportojnë agjencitë e lajmeve, fillimisht pandehën se fjala është për ndonjë anekdotë të pakripë, por shakanë e mori djalli: megjithëse më pas u sqaroi gazetarëve se kishte bërë një vjedhje virtuale, një eksperiment shoqëror, sepse më pas ishte kthyer, e kishte paguar sanduiçin duke kërkuar edhe falje, gjesti i tij u pasua me shumë zhurmë dhe pas disa orësh bëri të ditur se hiqte dorë nga mandati i deputetit. Nga grupi parlamentar i partisë së tij ndërkohë kanë bërë të ditur se dorëheqja është pranuar dhe se është caktuar edhe zëvendësuesi i tij.’ Është ekspert, njeri, koleg, mik dhe bashkëpunëtor i mirë, por ka bërë akt të patolerueshëm’- thanë nga partia e kryeministrit slloven./abcnews.al