Në 24 vjetorin e masakrës së Srebrenicës, deputeti i partisë së presidentit serb Aleksandër Vuçiç, Vladimir Djukanoviç shkruan se kjo është një ditë festë për popullin serb si dhe falenderon gjeneralin famëkeq Mlladiç për operacionin e suksesshëm sipas tij
Vladimir Djukanoviç, deputet dhe anëtar i Kryesisë së Partisë Përparimtare Serbe (SNS), të Aleksandër Vucic, e ka cilësuar genocidin e Srebrenicës si një festë për serbët. Në ditën e 24 vjetorit të masakrës në profilin e tij në Tuiter ai përgëzon popullin serb dhe falenderon Ratko Mlladic një nga përgjegjësit kryesor për genocidin në Srebrenicë.
“Dua të përgëzoj popullin serb në ditën e çlirimit të Srebrenicës, duke falënderuar gjeneralin Ratko Mlladic për operacionin ushtarak Krivaja ’95 të ekzekutuar shkëlqyeshëm”, shkruan Djukanovic.
Në postimin e tij ai ka publikuar dhe një video të ushtarëve të udhëhequr nga krimineli i luftës Ratko Mlladiç në Srebrenicë.
Pikërisht në 11 korrik pritet dhe varrimi i mbetjeve të 33 viktimave të gjenocidit të Srebrenicës. /ABC news Albania 24/7