Deputeti i PD: Çmimet në borde i caktojnë vetë grosistët, nga lufta që thotë Rama po preken vetëm qytetarët, arka e shtetit dhe oligarkët rritën të ardhurat

schedule12:51 - 9 Qershor, 2022

schedule 12:51 - 9 Qershor, 2022

Deputeti i PD-së, Ferdinand Xhaferaj ka reaguar pas deklaratës së kryeministrit Rama në Kuvend në lidhje me rritjen e çmimeve, sipas të cilit në kushtet e luftës ku jemi, askush nuk mund të pretendojë që të jetojë si më parë.

Përmes një postimi në Facebook, Xhaferaj thotë se në fakt, ajo që Rama thotë se është luftë po prek qytetarët shqiptarë, pasi sipas tij, as arka e shtetit dhe as biznesmenët pranë kryeministrit nuk kanë pësuar gjë, përkundrazi, kanë rritur të ardhurat gjatë këtyre muajve.

Gjatë talljes së tij në Kuvend Rama tha se në kushtet që jemi, të luftës, askush nuk mund të pretendojë që të vijojë jetën si ka qenë më parë. Përvec Rusisë dhe Ukrainës vetëm Shqipëria është në luftë gjersa vetëm këtu cmimi rritet në vend që të ulet si kudo?

Kjo maxhorancë na tregon sesi luftë ka vetëm për qytetarët shqiptarë, pasi si arka e shtetit ashtu edhe oligarkët e Ramës kanë rritur të ardhurat gjatë këtyre muajve të krizës së çmimeve.

Të vetmit që po përballen me atë që Rama e quan luftë, janë dhjetëra mijëra familje që me zor mbyllin muajin”, shkruan Xhaferaj duke shtuar se qeveria jo vetëm që nuk po merr masa për heqjen e ndonjë takse a tarife nga karburantet, por vetë çmimet e ushqimeve dhe karburanteve caktohen pikërisht nga grosistët dhe ministrat vetëm firmosin tabelën e çmimeve të ofruara prej tyre.

Ne jemi në luftë sipas Ramës, por çmimet e karburanteve dhe ushqimeve i caktojnë bordet që përbëhen me shumicë nga grosistët e karburanteve, me ministrat qe firmosin në fund buletinin e çmimeve që bëjnë gati tregtarët.

Ne jemi në luftë sipas Ramës, por qeveria nuk merr as mundimin të diskutojë për një ulje të përkohshme të taksave mbi karburantet për të lehtësuar qytetarët”, shkruan Xhaferaj.

Në lidhje me bordet, Rama i cilësoi ato komuniste, edhe pse sipas tij në këto momente janë tepër të domosdoshme. /abcnews.al