Deputeti i Bundestagut, njëkohësisht kryetar i Komisionit për Çështje të Bashkimit Evropian, Christian Petry e ka cilësuar djegien e mandateve nga opozita si një hap të gabuar. Në një takim me gazetarët në ambasadën gjermane, Petry i ka bërë thirrje opozitës të mos bojkotojnë zgjedhjet vendore.
Opozitës jashtë parlamentit i drejtohet një tjetër thirrje, që të hyjnë në zgjedhjet e 30 qershorit. Këtë herë nga Deputeti i Bundestagut, njëkohësisht kryetar i Komisionit për Çështje të Bashkimit Evropian, Christian Petry.
“Në takimet me përfaqësuesit e politikës mbështeta bindjen time për të gjetur një rrugë në mënyrë që ky proces të hyjë në rrugën e normalitetit. Në takime promovova në mënyrë të vazhdueshme pjesëmarrjen e të gjitha partive në zgjedhjet lokale veçanërisht të Partisë Demokratike”, tha Petry.
Djegia e mandateve nuk është lëvizja e duhur e opozitës sipas deputetit gjerman.
“Situata e zhvillimit të këtij vendi apo kultura politike e këtij vendi ka qenë në rritje dhe ndaj për mua si deputet i Bundestagut gjerman është e vështirë të kuptoj vendime të tilla si ajo e daljes nga parlamenti. Ashtu si edhe kritikat e ngritura për mua nuk janë shumë të kuptueshme. Si parlamentar i bindur unë nuk e konsideroj si një hap të saktë dhe hap të duhur vendimin për braktisjen e parlamentit. Sepse kësisoj i shmangen një procesi demokratik dhe mund të shfrytëzojnë vetëm instrumente që janë jashtë parlamentit”, deklaroi ai.
Në një takim me gazetarët nga ambasada gjermane, deputeti i Bundestagut ka nënvizuar gjithashtu se reformat në Shqipëri do të konsolidohen më tepër pas hapjes së negociatave e cila pranoi se është një rrugë jo e lehtë./abcnews.al