Në shkollën e fshatit Kakariq të Lezhës ku mësojnë dhe fëmijët e fshatit Gocaj prej 3 ditësh është përhapur Covid-19, por deri mëngjesin e së premtes nuk është marrë asnjë masë.
Ky është denoncimi që ka bërë në “ABC”, prindi Bledar Gjoni, i cili tregon se ai dhe e gjithë familja e tij kanë rezultuar pozitivë.
Gjoni hedh dyshime të forta që virusin ja kanë ngjitur fëmijët.
“Jam Bledar Gjoni nga fshati Gocaj. Unë jam i infektuar me Covid po ashtu edhe e gjithë familja ime. Fëmijët e mi, 2 fëmijët e vëllait dhe 2 fëmijë të një fqinjës këtu. Shkolla as nuk është mbyllur dhe as është dezinfektuar. Nuk e di se çfarë bëhet”, tregon qytetari.
Gjoni ka informacion se në këtë shkollë me 80 nxënës dhe fëmijë të kopshti janë të infektuar 6 fëmijë dhe familjet e tyre.
Ndërkohë ABC shkoi tek shkolla dhe mësimi vijonte.
Drejtoresha e shkollës jashtë kamerës tha se ka njoftuar njësinë administrative për të kryer dezinfektimin.
Por pas interesimit nga ABC u dërguan punonjës që të kryhej dezinfektimi, i cili nuk u realizua menjëherë pasi në shkollë kishte nxënës dhe po zhvillohej mësimi.
Gjithashtu ABC komunikoi më pas me administratorin e njësisë Balldren, i cili sqaroi se shkolla nuk mund të mbyllet pa dhënë urdhër njësia vendore e kujdesit shëndetësor.
Ndërsa institucioni që ai drejton do të kryejë dezinfektimin pasi nxënësit të largohen.
Nga ana tjetër qendra shëndetësore e fshatit raportoi vetëm për 3 fëmijë të infektuar.
Por numri i saktë nxënësve të prekur nuk dihet, pasi shumë nga ata nuk i drejtohen mjekut të familjes si edhe mund të jenë dhe asimptomatikë.
/abcnews.al/