Denoncim i PD-së për rindërtimin, PS: Qytetari nuk aplikoi në kohë

schedule21:50 - 29 Nëntor, 2020

schedule 21:50 - 29 Nëntor, 2020

Deputeti i Partisë Socialiste, Ervin Bushati ka reaguar duke iu përgjigjur denoncimit që bëri paraditen e sotme zëdhënësja e PD-së, Ina Zhupa, që solli në vëmendjen e publikut rastin e një qytetari, i cili akuzonte se iu dëmtua banesa nga tërmeti i 26 nëntorit të vitit të kaluar, por shteti sipas tij nuk e kishte përfshirë në programin e rindërtimit dhe as në bonusin e qirasë.

Kreu i PS për Tiranën shprehet se ky është mashtrimi i radhës që kjo forcë politike, referuar PD-së bën duke përdorur qytetarët dhe fatkeqësi të tilla. Bushati thotë se rasti në fjalë, pra qytetari nuk aplikoi në kohë.

“PD vijon të përdorë qytetarët edhe kur e ka të qartë hapësirën ligjore. Ne, i garantojmë mbështetje Z. Arben Gjoka, që nuk aplikoi dot në kohë për tu përfshirë në Programin e Rindërtimit. Në rastin më të parë, nëse ligji do krijojë një tjetër mundësi, do ta trajtojmë njësoj si 699 qytetarët e tjerë dhe pa ngjyrime politike,” shprehet Bushati.

Nga ana tjetër ai thotë se në Njësinë 8 janë regjistruar në Programin Kombëtar të Rindërtimit 699 aplikime nga familje të prekura nga tërmeti i 26 Nëntorit. “Prej tyre, 54 shtëpi të pariparueshme po rindërtohen nga e para, ndërsa banesat e tjera, me dëme më të lehta kanë përfituar nga grantet e rindërtimit.

Arben Gjoka, banues në Njësinë 8 në Tiranë, nuk ka aplikuar në platformën online të Rindërtimit në afatin e përcaktuar, deri në Mars 2020, kur është mbyllur faza e parë e Programit dhe as është paraqitur pranë kësaj njësie për tu trajtuar me programet e strehimit apo me bonus qeraje” mbyllet reagimi./ db/Abcnews.al