Nga Ermal Vija
Gjykata e Tiranës ka shpallur fajtor dhe ka dënuar me 5 vite e 6 muaj burg Ervis Martinajn.
Por për shkak të gjykimit të shkurtuar ai përfitoi uljen e 1/3-ës së dënimit duke u dënuar përfundimisht nga Shkalla e Parë me 3.8 vite burg.
Pas ngjarjes së ish bllokut tre vite më parë ku mbeti i vrarë një person dhe u plagosën dy të tjerë mes të cilëve edhe Martinaj, prokuroria e Tiranës ngriti ndaj tij 4 akuza.
Ervis Martinaj edhe pse u arrestua për këtë ngjarje, prokuroria nuk siguroi prova të mjaftueshme për mbajtjen e tij në qeli dhe u gjykua në gjendje të lirë për akuzat “Sigurimi i kushteve dhe mjeteve për vrasje”, “Fshehje të të ardhurave”, “Falsifikim i pasaportave, kartave të indentitetit, vizave”, si edhe “Organizim ose ushtrim i veprimtarisë së lojërave të fatit në kundërshtim me ligjin”.
Në rast se Gjykata e Apelit do të lerë në fuqi vendimin e shkallës së parë, Martinaj pritet të vuajë dënimin me burg.
Ngjarja e rëndë ndodhi në tetor të 2018-tës në një lokal në ish-Bllok ku gjatë një përplasje me armë mbeti i vrarë Fabiol Gaxha, ndërsa u plagosën Ervis Martinaj dhe Elion Hato.
Për vrasjen e Gaxhës është akuzuar ish-komandoja Meviol Billo, i cili është ende në arrati.
/abcnews.al/