Dënohet lideri i opozitës indiane, akuzohet për shpifje ndaj kryeministrit

schedule16:41 - 23 Mars, 2023

schedule 16:41 - 23 Mars, 2023

Është dënuar me dy vite burg lideri i opozitës indiane, Rahul Gandhi. Ai akuzohet për shpifje ndaj kryeministrit Narendra Modi, që i ka bërë në një fushatë elektorale në vitin 2019, shkruan BBC.

Dënimin e ka dhënë një gjykatë në rajonin e Gujaratit, e cila e cilësoi akuzën ndaj Gandhi të vërtetë dhe i dha liderit opozitar dënimin. Ai nuk do të shkojë menjëherë në burg gjithsesi, pasi ka 30 ditë kohë për të apeluar dënimin dhe për të ndjekur çështjen ligjërisht.

Gandhi ishte i pranishëm në sallën e gjyqit gjatë dhënies së vendimit, por nuk bëri asnjë koment lidhur me situatën. Akuzat lidhen me deklaratën e prillit 2019 të bërë në Karnataka, kur ai tha: Pse e kanë të gjithë hajdutët mbiemrin Modi? Nirav Modi, Lalit Modi, Narendra Modi!

Përtej Narendras, i cili është kryeministër aktual, ai i referohet edhe Niravit, një sipërmarrësi në fushën e gurëve të çmuar, i cili është arratisur nga India, si edhe Lalitit, një ish-pronari të një ekipi kriketi, i cili është përjashtuar përjetë nga liga.

Nga ana e partisë së Gandhit, është bërë me dije se gjithë çështjes do t’i shkohet deri në fund dhe kauza e tij nuk do të ndalet. “ne do të luftojmë dhe do të fitojmë ” thanë ata.

Ligji penal i Indisë për shpifjen është legjislacion i epokës britanike sipas të cilit mund të ketë një dënim maksimal prej dy vjetësh burgim, një gjobë ose të dyja.

Kritikët  kanë argumentuar shpesh se ligji bie ndesh me parimet e lirisë dhe se ai përdoret nga politikanët për të heshtur mendimin e lirë.

Në vitin 2016, disa politikanë të lartë indianë, donin ta rrezonin atë por Gjykata e Lartë mbështeti vlefshmërinë e ligjit, duke thënë se “e drejta për fjalën e lirë nuk mund të nënkuptojë që një qytetar mund të shpif tjetrin”.

/abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!