“Dënimi i Skënderbeut, turp për Shqipërinë! Dua të drejtoj derbin një ditë”

schedule12:15 - 22 Shkurt, 2020

schedule 12:15 - 22 Shkurt, 2020

Emanuela Rusta është e para arbitre femër që ia ka dalë të marrë stemën e FIFA-s përmes kapjes së normale dhe kalimit të testeve. 26-vjeçarja nga Elbasani ka provuar të luajë basketboll, ndërkohë që tani i është futur një fushe tjetër dhe që ka bërë që të zgjohet interesi edhe për të si personazhe.

Rusta ka dhënë një intervistë të gjatë për “Footballski.fr”, teksa tregon fillimisht se fakti që punon si mësuese nuk e pengon aspak atë të merret edhe me arbitrim. “Në mëngjes jap mësim në shkollë, ndërsa e kam pasditen të lirë. Kjo gjë që më jep shumë kohë të stërvitem për profesionin tim të dytë”, tregon gjyqtarja.

Por si vendosi Rusta të merrej me arbitrim? “E zgjodha arbitrimin kryesisht falë disa miqve të mi. Një i njohur imi është gjyqtari më i mirë në Shqipëri. Ai më ka folur shumë për profesionin e tij dhe zhvillimin e futbollit në Shqipëri. Vendosa ta nisja këtë aventurë të re dhe jam e kënaqur për zgjedhjen që kam bërë. Shumë persona më pyesin pse zgjodha të bëhem gjyqtare dhe jo lojtare. Është shumë e thjeshtë, pasi ndihem më mirë si gjyqtare sesa si lojtare”, shton 26-vjeçarja.

 

Më tej ajo pranon se ka edhe vështirësi: “Sigurisht që nuk është diçka e lehtë, por nëse je më e mira në fushë, nëse nuk bën gabime dhe je e drejtë, atëherë nuk ka asnjë problem dhe nuk është e vështirë. Unë jam gjyqtarja e parë e FIFA-s në Shqipëri dhe ky është një nder për mua. Shumë femra më mbështesin në këtë sport ‘mashkullor’. Ato besojnë tek unë dhe ne jemi të një mendimi që çdo sport mund të luhet si nga meshkujt, ashtu dhe nga një femrat. Nuk duhet të ketë ndarje dhe pengesa”.

Rusta komenton edhe për futbollin e femrave: “Ka ende shumë punë për të bërë, por është bërë një progres i madh. Federata investon shumë në futbollin e femrave, kemi ekipe më të mira, lojtare më të mira dhe niveli i kampionatit kombëtar rritet nga viti në vit”. Më pas gjyqtarja që mban stemën e FIFA-s tregon edhe për momentin që ju tha se do gjykonte në Superiore. Kjo ndodhi në mars të vitit 2019.

 

“Isha krenare për atë emërim. Në fillim ishte shumë argëtuese sepse njerëzit nuk e dinin që unë isha gjyqtare dhe nuk mendoj se e kishin imagjinuar ndonjëherë që një femër mund të arbitronte një ndeshje meshkujsh. Për më tepër, kur bëhej fjalë për derbin mes Partizanit dhe Tiranës, ndeshja më e nxehtë në vend.

Edhe pse isha vetëm një gjyqtare pas porte, ishte një përvojë e paharrueshme për mua. Më bëri përshtypje atmosfera në tribuna. Kam pasur shumë emocione gjatë gjithë ndeshjes, por në fund gjithçka shkoi mirë. Tani më duhet të punoj që një ditë të jem gjyqtarja kryesore në një derbi të tillë”, rrëfen Rusta.

Aspekti psikologjik është shumë i rëndësishëm në përgatitje: “Ka shumë rëndësi që të kesh një përgatitje të mirë psikologjike. Nëse jeni mirë në kokën tuaj, atëherë e dini që ndeshja do të shkojë mirë. Duhet të dish ta menaxhosh veten dhe nuk duhet të impresionohesh apo të dukesh e dobët kur të përballesh me lojtarët. Duhet ta bësh punën siç duhet, të mos gabosh dhe të japësh më të mirën tënde në fushë”.

 

Rusta është pyetur edhe në lidhje me dhunimin e Eldorian Hamitit, në përfundim të ndeshjes Kamza-Laçi. “Ne të gjithë u ndiem shumë keq pas asaj situate. Nuk duhet të ndodhin kurrë në futboll dhe në sport në përgjithësi. Nuk është ajo fryma e lojës, futbolli nuk është luftë. Pas kësaj situate federata mori vendime të rëndësishme, duke ndëshkuar ashpër Kamzën dhe njerëzit që hynë në fushë. Ligji ka ndryshuar dhe kushdo që hyn në fushën e futbollit në mënyrë të paligjshme, tani mund të dënohet nga 1 deri në 3 vite burg”.

Fenomeni i trukimeve nuk mbetet jashtë diskutimit në intervistë: “Skënderbeu gjithmonë pretendon se nuk ka trukuar asnjëherë ndeshje, por për Komitetin e Sportit, provat janë shumë më të forta se fjalët. Sigurisht që nuk është diçka e mirë, madje është e turpshme për vendin tonë, por federata jonë po bën shumë për ta luftuar këtë të keqe. Megjithatë, mbetet akoma shumë punë për t’u bërë. Ndërkohë, ndalimi i basteve sportive në vend sigurisht që do të jetë një ndihmë”.

Rusta ka edhe objektiva, ndërkohë që jep edhe këshilla për ato femra që duan të merren me gjykim në futboll: “Dëshiroj të bëj progres, fillimisht në arenën kombëtare, ku synoj që të jem gjyqtare kryesore në sfidat e Kategorisë Superiore. Më pas do të dëshiroja të ngjitja shkallët në skenën ndërkombëtare, por kjo është një histori tjetër. A mund ta gjykojë një ditë një femër finalen e Champions League? Sigurisht, gratë janë e ardhmja. Këshillat e mia për të rinjtë? Nuk është turp të jesh një arbitër. Duhet të besojnë në veten e tyre. Asgjë nuk është e pamundur nëse japin maksimumin në këtë pasion”. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!