Dënimi i ish komandantit të UÇK-së me 26 vjet burg, PSD paralajmëron protestë

schedule15:02 - 19 Dhjetor, 2022

schedule 15:02 - 19 Dhjetor, 2022

Partia Socialdemokrate e Kosovës ka njoftuar se do të organizojë protestë të shtunën më 24 dhjetor, pas dënimit të ish anëtarit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Salih Mustafa me 26 vjet burg. Dardan Molliqaj tha se kjo protestë është e domosdoshme, pasi në Hagë po tentohet të shtrembërohet historia.

Ai tha se do të kërkojnë edhe amendamentimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara në Hagë. Kujtojmë që Mustafa u shpall fajtor nga Gjykata Speciale për veprat: vrasje e paligjshme, torturë dhe ndalim arbitrar. Ky është aktvendimi i parë i këtij institucioni lidhur me hetimet për krime lufte në Kosovë.

Pas kësaj, reagoi dhe kryeministri Albin Kurti i cili e cilësoi vendimin “indinjues”. Kurti tha se ka “mijëra vrasës nga Serbia” që nuk janë dënuar e as gjykuar për “mizoritë që i kanë bërë në Ballkan”. Sipas tij, vetëm 26 serbë janë dënuar për mbi 12.000 të vrarë dhe mbi 20.000 të dhunuar seksualisht në Kosovë.

Kur u arrestua Mustafa?

Mustafa është arrestuar dhe më pas është transferuar në njësinë e paraburgimit të Gjykatës Speciale më 24 shtator të vitit 2020. Procesi gjyqësor nisi më 15 shtator të vitit 2021 dhe në të kanë marrë pjesë 29 dëshmitarë – 14 të Zyrës së Prokurorit të Specializuar dhe 15 të mbrojtjes. /abcnews.al

 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!