Komisioni Europian ka prezantuar progres-raportin e ndërmjetëm të progresit të bërë nga Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut në reforma të kyçe të integrimit të kërkuara nga Këshilli i Ministrave lidhur me shtetin ligjor, luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.
Komisioni vlerëson se Shqipëria ka bërë progres në procesin e “Vettingut”.
Në kuadrin e reformës në drejtësi, ka ngritur organizma për luftën kundër korrupsionit, ka prezantuar rezultate konkrete lidhur me luftën kundër drogës, si edhe dënime përfundimtare të disa zyrtarëve dhe gjykatësve.
Komisioni Europian beson se këtë rradhë, të gjitha shtetet anëtare të Bashkimit Europian do të aprovojnë këtë progres raporti për t’i hapur rrugë hapjes së negociatave të anëtarësimit me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut.
“Komisioni Europian aprovoi sot raportin e shumëpritur të ndërmjetëm të progres-raportit për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut.
Ky raport bën vlerësimin e progresit të reformave lidhur me shtetin ligjor. Siç shihet në raport, të dyja vendet kanë vazhduar të ofrojnë rezultate të mëtejshme të prekshme dhe të qëndrueshme në fusha kyçe të identifikuara nga Këshilli i Ministrave, veçanërisht në reformën në drejtësi dhe shtetit ligjor.
Ndaj, Komisioni Europian konsideron se rekomandimi për hapjen e negociatave të anëtarësimit me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut mbetet i vlefshëm.
Lidhur me Shqipërinë, ne njohim progresin në reformën në drejtësi si dhe procesin e Vettingut të gjyqtarëve dhe prokurorëve.
Ne shohim gjithashtu përmirësimin e gjurmës së provave lidhur me luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, përfshirë kultivimin e kanabisit dhe trafikun e drogave të rënda. Ne njohim gjithashtu në raport marëveshjen ndërpartiake të arritur në vend për avancimin në reformën zgjedhore, si edhe trajtimin e kërkesave të azilit të pabazuara”, u shpreh zëdhënësja e KE-së Ana Pisonero.
Lidhur me pyetjen drejtuar nga “ABCnews”, se cilat janë arsyet që e bëjnë Komisioni Europian të besojnë se të gjitha shtetete anëtare do ta miratojnë këtë progres- raport, zëdhënësja e ekzekutivit europian tha se vendet kanë bërë progress të prekshëm dhe të qëndrueshëm në fusha kyçe.
“ Komisioni Europian prezantoi disa javë më parë metodologjinë e re të zgjerimit. Ne shpresojmë, se ky propozim do të funksionojë për të dyja palët, pasi merr në konsideratë shqetësime të shprehura nga disa shtete anëtare.
Ne mendojmë dhe shpresojmë, se ky propozim si dhe me progress-raportet që prezantuam paralelisht sot që tregojnë, se të dyja vendet kanë vazhduar të bëjnë progress të prekshëm dhe të qëndrueshëm në fusha kyçe të identifikuara nga Këshilli i Ministrave, përbëjnë një bazë të mirë për një vendim pozitiv në javët e ardhshme nga shtetet anëtare, shumë para samitit të Zagrebit”, u shpreh Pisonero.
Progres-raporti do të diskutohet në Këshillin e çështjeve të përgjithshme në 24 mars dhe pritet të aprovohet nga Samiti i Liderëve Europianë të 26 dhe 27 marsit./abcnews.al

