Arrestohen 2 shtetase që bullizonin dhe shpërndanin foto dhe shkrime me përmbajtje të papërshtatshme në rrjetin social Instagram.
Pas një hetimi të thelluar dhe intensiv, të kryer nga Drejtoria për Hetimin e Krimeve Kibernetike u finalizua operacioni policor i koduar “CyberShield”.
Ky operacion ka ardhur pas një denoncimi lidhur me hapjen e një profili në rrjetin social Instagram, ku publikoheshin shkrime me natyrë bullizuese, denigruese, si dhe shpërndaheshin foto dhe video intime të vajzave të mitura, nxënëse të shkollave të ndryshme në qytetin e Korçës.
Nga hetimi intensiv, u identifikuan dhe ndaluan dy shtetase, për veprën penale “Pornografia me të mitur”, të cilat ishin të përfshira në këtë veprimtari kriminale.
Në pranga ranë një shtetase 19 vjeçare banuese në Korçë, administratorja e profilit të krijuar në rrjetin social Instagram si dhe një shtetase 17 vjeçare banuese në Korçë, e cila është identifikuar si person përgjegjës për aplikacionin “Tellonym”, i lidhur me profilin e Instagramit.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Korçë për veprime të mëtejshme.
/ abcnews.al