Ministri i Jashtëm ka deklaruar se Greqia promovon dialogun dhe marrëdhëniet e fqinjësisë së mirë, por ana ana tjetër mbetet e gatshme për të promovuar sovranitetin dhe të drejtat e saj në çfarëdolloj rrethane, duke iu referuar këtu konflikteve me Turqinë. “Ne kërkojmë të promovojmë paqen, stabilitetin, zhvillimin dhe prosperitetin për të gjithë popujt. Ne përpiqemi të promovojmë një axhendë pozitive, e cila do të çonte në bashkëpunim, zhvillim dhe prosperitet për të gjithë. Ne duam të ndërtojmë atje ku të tjerët përpiqen të shkatërrojnë”, tha Dendias.
Ai vuri në dukje se Greqia ka treguar se dëshiron të ketë marrëdhënie të mira fqinjësore dhe kohët e fundit arriti tre marrëveshje me fqinjët e saj. Ndërkohë theksoi se në të kaluarën Turqia kishte një qëndrim agresiv ndaj Greqisë. “Turqia po kërcënon një anëtar të BE me luftë. Ne nuk kemi parë një luftë në Evropë për 70 vjet. Turqia është përjashtim dhe kërcënon një anëtar të BE me luftë”, tha ai.
I pyetur rreth qëndrimit të BE, ai u shpreh se Turqia po shkel në mënyrë të njëanshme bashkimin doganor me BE dhe Shtetet anëtare nuk po bëjnë asgjë për këtë. “Ne duhet të provojmë se BE është një familje dhe jo një formalitet. Nëse vazhdojmë të mos marrim masa, është si t’i thuash popullit turk se ne e duartrokasim qeverinë e tij dhe kështu t’i largojmë më tej nga vlerat evropiane”, u shpreh Dendias. /mv.abcnews.al