Arsenal nuk hasi probleme në ndeshje ndaj Portsmouth, fitoi 0-2 dhe u kualifikua në çerekfinalet e FA Cup. Rivali i ardhshëm do të jetë Sheffield Utd dhe përballja për një vend mes katër më të mirave do të zhvillohet me 21 mars.
Lucas Torreira ishte i pafat në ndeshjen e fundit dhe u detyrua të largohej nga fusha pas çerek ore lojë. Përplasja me një kundërshtar qëlloi fatale për mesfushorin nga Uruguaj, i cili ka pësuar një frakturë në kavilje. Gjendja e tij dhe koha e rikuperimit do të përcaktohen nga disa teste mjekësorë shtesë, por ky sezon mund të ketë përfunduar për 24-vjeçarin. Ansa raporton se Torreira mund të humbasë edhe Kupën e Amerikës.
Kompeticioni i kombëtareve latine zhvillohet në Argjentinë dhe Kolumbi këtë vit. Turneu nis me datë 12 qershor dhe zgjat një muaj fiks. Uruguaj është një ndër favoritët kryesorë për triumfin final, por dëmtimi i Torreira është një lajm i keq për trajnerin Tabarez. /abcnews.al