Dëmtimi i Marash Kumbullës, menaxheri: Ka shumë dëshirë të rikthehet, rekuperimi po ecën mirë

schedule20:16 - 28 Shtator, 2023

schedule 20:16 - 28 Shtator, 2023

Që prej 29 prillit, qendërmbrojtësi i “verdhekuqve” të Roma-s dhe Kombëtares sonë, Marash Kumbulla ka mbetur jashtë fushave të blerta, pas një dëmtimi të pësuar në përballjen ndaj “kuqezinjve” të Milan.

Për dëmtimin e 23-vjeçarit dhe rikthimin e këtij të fundit në fushën e blertë ka folur dhe menaxhari i Kumbullës, Gianni Vitali, i cili për mediat italiane ka folur për procesin e rekuperimit të lojtarit, por nuk preferoi të tregonte një datë të mundshme për rikthimin e tij, në fushën e blertë.

“Kumbulla ka shumë dëshirë të rikthehet sa më shpejt, deri më tani rekuperimi i tij po ecën mirë. Stafi mjekësor i Romës është i një standardi të lartë. Ditë pas dite shoh përmirësime, do ta ndihmojë shumë nga ana psikologjike.

Kanë qenë ditë të ngarkuara edhe për të, për shkak të lindjes së vajzës së tij. Jemi besimplotë se do ta shohim në fushë shpejt, gjithmonë duke respektuar afatet e kërkuara.

Për momentin nuk dua të bëj parashikime, gjithçka po shkon mirë. As ne dhe as klubi i Romës nuk dëshirojmë që Kumbulla të rikthehet me dhimbje. Do të presim “dritën jeshile” nga stafi mjekësor dhe atëherë lojtari do të jetë gati”,- u shpreh Vitali. /i.m /abcnews.al 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!