Demostrata masive në Izrael, Netanyahu “arratiset” me helikopter për në Romë

schedule09:06 - 10 Mars, 2023

schedule 09:06 - 10 Mars, 2023

“Diktator mos u kthe pas”! Me këtë slogan, demonstruesit izraelitë injoruan kryeministrin e tyre, Benjamin Netanyahu, gjatë nisjes së tij nga aeroporti ndërkombëtar “Ben Gurion” për në Romë, ku ai do të zhvillojë një vizitë treditore.

Në vazhdim të ciklit të mobilizimeve popullore që janë ndezur prej dy muajsh kundër përpjekjes së Netanyahut për të fajësuar drejtësinë, protestuesit bllokuan trafikun në rrugën që të çon në aeroport.

Protestat në Izrael ndryshuan gjithashtu planet e Sekretarit të Mbrojtjes të SHBA, Lloyd Austin, i cili fillimisht kishte planifikuar të kalonte natën në Tel Aviv të mërkurën dhe të takohej me Netanyahun të enjten.

Më në fund, Austin zbarkoi në Ben Gurion dje në mëngjes dhe u takua me kryeministrin izraelit për një orë në një fabrikë aty pranë. Tema kryesore e diskutimit ishte cikli i ri i dhunës në territoret e pushtuara palestineze të Bregut Perëndimor, ku më shumë se 70 palestinezë dhe 14 izraelitë janë vrarë që nga fillimi i vitit.

Pentagoni nuk e ka fshehur shqetësimin e tij për sulmet izraelite dhe implikimet e tyre më të gjera.

“Sekretari i Mbrojtjes Austin bëri thirrje për t’i dhënë fund veprimeve të njëanshme që minojnë qëllimin e dy shteteve,” tha Pentagoni në një deklaratë për takimin e Netanyahut.

Gjatë ditës së djeshme, dhjetëra aktivistë, përfshirë gjashtë ish-shefa të marinës, tentuan të bllokonin portin e Haifës me një flotilje varkash me vela dhe kajakë.

Më parë, rekrutët që kanë deklaruar mosbindje civile rrethuan zyrat e një instituti konservator në Jerusalem që mbështet përpjekjet për të “reformuar” drejtësinë.

Në një intervistë për gazetën La Repubblica, Netanyahu i kërkoi qeverisë italiane të zhvendoste ambasadën e saj në Jerusalem, ndërkohë që ofroi furnizimin e saj me hidrokarbure.

Kreu i Ligës së ekstremit të djathtë, Matteo Salvini, e mbështeti menjëherë kërkesën e tij.

/abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!