Demokratëve u duhet dëshpërimisht Meta, por demokratët nuk e duan Ilirin

schedule12:31 - 27 Prill, 2022

schedule 12:31 - 27 Prill, 2022

Nga Lorenc Vangjeli

Në temperaturat e larta të kuriozitetit për emrin e ri të presidentit të ri të Republikës, shumëkënd e kanë zënë ethet për fatin e nesërm të presidentit në largim të Republikës. Dy versionet që qarkullojnë e shohin Ilir Metën të rikthyer në partinë e tij dhe sfidant të Erion Veliaj për bashkinë e nesërme të Tiranës.

Në Tiranë mund të ndodhë gjithçka, por gabimi kryesor që bëhet në fallin politik është se logjika i nënshtrohet dëshirave, interesi mposht arsyen dhe tallavaja e Ad Sybardhit, shijohet nga shumë më shumë njerez se Izolta e Vagnerit.

Janë të gjitha gjasat që asnjë nga këto dy fatthënie për një nga politikanët kryesorë në këto tre dekada, të mos jenë të vërteta. Arsyeja është vetë Ilir Meta përballë një konfiguracioni gjithmonë e më të ndërlikuar e të bërë si floknajë ezmeri në kokën e politikës shqiptare.

Partia që Meta la pas kur e “internuan” në presidencë, është larg shkëlqimit të fillimkthimit të të majtës në pushtet dhe po aq larg edhe nga viti 2017, kur grupi i saj parlamentar, e shndërronte në enigmë që duhej zgjidhur në çdo ekuacion të mundshëm pazaresh në Tiranë.

E konceptuar si shansi i vetëm i të majtës për kthimin e saj në pushtet dhe si një garanci e të djathtës përballë çdo revanshi të mundshëm të pushtetit të të majtës, LSI-ja tashmë ka fituar armiqësinë e thellë të të dy palëve. Ajo ishte edhe më e thellë sidomos kur duhet të ishte në aleancë të fortë, qoftë me njërin krah njëherë, qoftë me krahun tjetër herën tjetër.

Të majtët e konsideronin gjithmonë një peshë në këmbët e tyre dhe pengesë në aspiratën e Ramës për të qeverisur i vetëm, kurse të djathtët e quanin si masa kritike që ndryshoi ekuilibret në vend dhe i nxorri në opozitë. Rama urrente të ishte peng i paparashikueshmërisë së Metës, kurse Basha ndjehej gjithmonë më mirë përballë një të paparashikueshmi si Rama sesa me Metën në krah.

Kjo ka qenë arsyeja se pse të dy partitë e mëdha në vend, në të paktën dy zgjedhjet e njëpasnjshme punuan, shpresuan dhe kërkuan me çdo mjet shndërrimin e LSI-së në fetën e hollë të sanduiçit të tyre elektoral. Një bast që I doli për mbarë Edi Ramës, kurse Basha verifikoi dhe njëherë aftësinë e tij të padiskutueshme për të humbur edhe atë që është e pamundur të humbet.

Ka një detaj që nuk përmendet pothuaj kurrë: në mars 2021, një muaj përpara zgjedhjeve, Ilir Meta deklaroi se në rast se Rama do të merrte 71 deputetë, ai do të braktiste presidencën dhe do të merrte drejtimin e opozitës.

Naivët e shumtë që pretendojnë se janë visare mençurie, analfabetët e pafundëm që flasin si akademikë, u tallën në atë kohë me këtë ide, pa kuptuar se ku ishte plani B, i dy njerëzve më të fuqishëm të opozitës, Berishës dhe Metës.

Ata e dinin më mirë se kushdo që Lulzim Basha do të humbiste zgjedhjet. Kishin vendosur që edhe sikur të ndodhte e pamundura dhe PD shpallej parti e parë në vend, Basha nuk do të bëhej dot kryeministër edhe nëse kishte votat e mjaftueshme të të grisur tapinë e Edi Ramës në kryeministri. Nëse fati i Bashës do të varej qoftë dhe nga një votë e vetme e LSI-së, pavarësisht marrëveshjes parazgjedhore mes dy partive, ai nuk do ta merrte këtë votë. Sepse Basha ju kishte dalë të dyve nga llogaria, sepse duke varfëruar opozitën ai ishte ërë një njeri I pasur dhe mbi të gjitha, ai ishte i shantazhueshëm me dosje penale që ende flenë në ndonjë sirtar prokurorie, një kopje të të cilës, me siguri e ka parë edhe vetë Rama.

Gjithë fushata elektorale e vjetshme dhe gjithë seria e ngjarjeve që pasuan më pas, dëshmuan këtë të vërtetë thelbësore. Shenjat e parathoshin një gjë të tillë patën formën dhe madhësinë e hënës, që vetëm budallenjtë e padibishëm e konsideronin të padukshme kur e mbulonin me gishtin e tyre vetjak përpara hundës vetjake.

Versioni tjetër që qarkullon është mundësia që Meta të bëjë nxemje pothuaj një vit në stol për të ngritur nga karrigia e qytetarit të parë të Tiranës Eron Veliajn. Por trajektorja politike e të dyve nuk ka asnjë pikë takimi logjik. Eshtë e vërtetë që bashkia e Tiranës është një qendër mjaft e rëndësishme e pushtetit, por Meta e ka të pamundur nga pikpamja politike që të lerë fanelën e kreut të shtetit që të merret me punë komunale.

Çfarë do t’I duhej të sakrifikonte nga ambicja e tij, është shumë më shumë sesa mund të fitojë nga kjo qendër pushteti. Në të kundërt Veliaj, me erën në vela, duket si i parakonfirmuar për herë të tretë në këtë detyrë. Sondazhet tre çerek të fshehta me qytetarët e Tiranës ja kanë dhënë paraprakisht sërish detyrën dhe i mbetet të marrë vetëm votën formale pro, të qytetarit më të rëndësishëm të Tiranës, Edi Rama. Logjika dëshmon se Meta nuk mund të shkojë me zbritje në këtë histori, kurse Veliajn vetëm fati i keq dhe ndonjë aksident I papritur, mund ta pengojë në ngjitjen e tij të nesërme.

Meta dhe Berisha dinë një të vërtetë të thjeshtë: vetëm të bashkuar, direkt apo indirekt, me federatë të bashkuar apo në shkrirje të plotë mes partive të tyre, mund të kenë një shans të shtuar për t’u ndeshur me Edi Ramën.

Të dy ata i bashkon jo dashuria mes njëri-tjetrit, por urretjtja ndaj kryeministrit, jo besëlidhja mes burrash dhe shumë halle të përbashkëta, por interesi i përbashkët dhe llogaritë aritmetike të numrave. Dy ish-kryeministrat e dinë mirë se në Tiranë çdo gjë e ka një çmim, përveç tapisë së zyrës së kryeministrit, e cila nuk ka çmim.

Dhe po ashtu, pavarësisht se në Tiranë ka shumë para’ dhe njerëz të pasur, askush nga ta, veç e veç apo bashkë edhe me Edi Ramën, nuk kanë aq para sa të blejnë hallin dhe ambicjen e pafundme të këtyre dy burrave të ashpër. Kanë vetëm një hall, të cilin e di edhe Berisha, edhe Meta. Demokratëve ju duhet dëshpërimisht Iliri, por demokratët nuk e duan Metën! /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!