Demokratët përgatisin padi kundër Trump

schedule22:39 - 10 Nëntor, 2018

schedule 22:39 - 10 Nëntor, 2018

Demokratët në Shtetet e Bashkuara kanë paralajmëruar se mund të padisin presidentin Donald Trump, pasi ka shkelur Kushtetutën me emërimin e prokurorit të ri të përgjithshëm, një kritik i zëshëm i hetimeve mbi ndërhyrjen ruse.

Senatorët demokratë në Shtetet e Bashkuara po shqyrtojnë ndërmarrjen e një aksioni ligjor kundër vendimit të presidentit Donald Trump për vendosjen në krye të Departamentit të Drejtësisë një kryeprokuror në detyrë. Ditën e enjte Trump emëroi Methju Uajtejkër si zëvendës së ish-prokurorit të përgjithshëm Xhef Sesshëns, i cili u tërhoq me kërkesë të kreut të shtetit, pas përplasjeve të shumta lidhur me hetimet mbi ndërhyrjen ruse.

Lëvizja e Trump e bën Uajtejkër mbikëqyrës të hetimit të udhëhequr nga Robert Myler, që në muajt e fundit ka përfshirë ish-bashkëpunëtorë të afërt të presidentit. Tani, senatorët demokratë po mendojnë të padisin Trump me argumentin se me emërimin e Uajtejkër injoroi linjën statutore të pasimit të një posti dhe u mohoi senatorëve rolin e tyre kushtetues të këshillimit dhe konsensusit për figurat e propozuara nga presidenti.

“Mënyrat e vetme për të përcaktuar pasardhësin në atë post janë: kalimi i rregullt dhe këshillimi dhe konsensusi me senatorët”, ka deklaruar një anëtar i komisionit gjyqësor të Senatit amerikan për agjencinë e lajmeve “Reuters”.

Klauzola e emërimit në Kushtetutën e Shteteve të Bashkuara thotë se, figura të caktuara të qeverisë, të njohur si “oficerët kryesorë”, duhet të konfirmohen nga Senati. Por për senatorin republikan Çak Grejslli, Trump e kishte autoritetin për të bërë një emërim të tillë, edhe duke anashkaluar Senatin./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!