Zgjedhjet për bashkinë e Nju Jork janë bërë një nga betejat më të diskutuara poltike në Shtetet e Bashkuara këtë vit.
Teksa data vendimtare afron, kandidati demokrat dhe favorite për të fituar zgjedhjet, Zohran Mamdani mbajti një tubim të madh, ku në krah kishte edhe dy nga figurat më të njohura të partisë, Bernie Sanders dhe Alexandra Ocasio Cortez.
Gjatë tubimit në Queens, një nga zonat ku demokratët marrin vota të shumta, tre demokratët sulmuan ashpër Donald Trump, duke e cilësuar presidencën e tij një regjim autoritar.
Gjatë fjalës së tij Mamdani, teksa premtoi për reforma që do të përmirësojnë jetën e qytetarëve, tha se vendi do të dalë nga errësira.
“Tani qëndrojmë në prag të rimarrjes së këtij qyteti nga politikanët e korruptuar dhe miliarderët që i financojnë ata. Herë pas here, kombi ynë është lëkundur në një greminë pa shpresë. Tani është një nga ato kohë. Por në secilin prej këtyre momenteve, njerëzit që punojnë kanë riformësuar demokracinë tone”
Kongresmenia Ocasio Cortez tha se ky është një moment I rrezikshëm për vendin.
“Ne mblidhemi në një moment të rrezikshëm për vendin tonë. Më 4 nëntor ne do t’i dërgojmë një mesazh të fortë Presidentit Donald Trump se autoritarizmi i tij nuk është i mirëpritur këtu. Ne po përballemi me një presidencë autoritare dhe kriminale të nxitur nga korrupsioni dhe fanatizmi”
Senatori i Vermont, Bernie Sanders, tha se zgjedhjet e këtij nëntori në Nju Jork, nuk mbahen në kohë normale.
“Këto nuk janë kohë normale. Këto nuk janë zgjedhje normale. Këto zgjedhje po zhvillohen kur kemi një administratë në Uashington e cila çdo ditë po na çon drejt një shoqërie autoritare, duke minuar Kushtetutën tonë dhe sundimin e ligjit”
Në zgjedhjet e 4 nëntorit në Nju Jork janë në garë tre kandidatë: vetë Mamdani, ish-guvernatori I shtetit Andrew Cuomo I cili kandidon si I pavarur pasi humbi primaret në Partinë Demokratike dhe republikani Curtis Sliwa.
Në thuajse çdo sondazh parazgjedhor Mamdani shihet si fitues, nisur edhe nga fakti që Nju Jork është një bastion demokratësh.
Megjithatë presidenti Donald Trump e ka akuzuar kandidatin demokrat si një komunist dhe ka kërcënuar se do të ndërpresë fondet për qytetin e Nju Jork nëse ai fiton./abcnews.al

