Demiri ka një dëshirë, Josa: Vllaznia e Laçi menjanë, sytë nga Kastrioti

schedule19:40 - 6 Shkurt, 2021

schedule 19:40 - 6 Shkurt, 2021

Mirel Josa dhe Besir Demiri kanë folur ditën e sotme në prag të ndeshjes me Kastriotin. Tekniku i Kukësit deklaron: “Jo vetëm me Kastriotin, të gjitha ndeshjet janë të vështira. E kemi parë se çfarë ka ndodhur në kampionatin tonë gjatë kësaj periudhe në superiore.

Ka pasur rezultatet të paparashikueshme. Jemi fokusuar te ndeshja e radhës me Kastriotin, që është një skuadër që e kam ndjekur që në takimin e parë me Partizanin. Bëhet fjalë për një ekip të fortë që vrapon, lufton, si dhe ka ndërthurur eksperiencën me lojtarët e rinj”.

Në lidhje me  garën për titull, Josa shton: “Kampionati nuk është mbyllur, por duhet respektuar ekipi që kryeson kampionatin, siç është Vllaznia. U mund nga Laçi, pretendimet e ekipeve që vijnë pas shtohen.

Unë e kam parë ndeshjen për mënyrën se si të dyja e kanë interpretuar lojën, Vllaznia e Laçi. Ne duhet të bëjmë punën tonë, nuk duhet ta kemi mendjen te Vllaznia dhe Laçi, sepse ne fillimisht duhet të kapim zonën e Europës. Pastaj çfarë të dalë, është më mirë për ne”.

BESIR DEMIRI – Mbrojtësi i krahut të majtë, Besir Demiri, shpreson që Kukësi të vijojë me rezultatet pozitive: “Kemi tre fitore në ndeshjet e fundit. Shpresoj të vazhdojmë kështu. Nuk duhet të humbasim të afrohemi me kryesuesit. Uroj të vazhdojmë me këtë ritëm. Morëm tre fitore, por kishim pesë ndeshje pa fitore.

E kemi kaluar krizën, e kemi parë si është të fitosh dhe humbësh. Atmosfera është e mirë në skuadër, shpresoj të vazhdojmë dhe të mos kthehemi te rezultatet negative. Profesor Josa na ndihmon shumë, pasi e njeh kampionatin shumë mirë”. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!