Demiraj: Videoja, niveli që tregoi Ardi Veliu nuk i përket detyrës që ka

schedule08:07 - 1 Qershor, 2020

schedule 08:07 - 1 Qershor, 2020

Në një intervistë në “ABC e mëngjesit” ish-ministri i Brendshëm Dritan Demiraj ka folur për ngjarjen që tërhoqi vëmendjen e të gjithëve ditët e fundit. Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit Ardi Veliu publikoi një video të zonjës Zaida Çobo, mamaja e 15-vjeçarit, i cili u dhunua nga punonjës të policisë pranë liqenit artificial të Tiranës dy javë më parë.

Sipas tij Ardi Veliu paraqiti një nivel skandaloz, duke treguar një nivel që nuk i përket detyrës dhe funksionit që ai mban.

Demiraj theksoi se Drejtori i Policisë së Shtetit u zgjodh në atë detyrë në mënyrë të paligjshme, pasi sipas tij nuk ka plotësuar kriteret.

 “Niveli i treguar i drejtorit të policisë nuk i përket detyrës dhe funksionit që ai mban. Trupa e policisë ka njerëz profesionistë, por thuajse gjithmonë në krye nuk janë vendosur këta njerëz të shkolluar. Fatkeqësisht zyrtari më i lartë paraqiti një nivel skandaloz. Puna hetuese, gjurmuese e Policisë së Shtetit bazohet edhe mbi bazën informuese. Sa i përket pjesës së informacione, Gjykata e Strasburgut përcakton qartë se nuk mund të bëhet një përgjim pa vendimin e Gjykatës”, tha Demiraj.

Gjithashtu ai u ndal te shembja e Teatrit Kombëtar duke u shprehur se ndërhyrja e policisë me armë ishte e patolerueshme.

“Protesta e aktivistëve ishte paqësore, por ndërhyrjet e 5-6 personave ndaj ish-deputetëve, gazetarëve apo aktivistëve nuk ka asnjë mjet justifikimi. Në momentin kur qeveria trembet nga populli do të thotë që është e korruptuar dhe se duhet të largohet sa më parë”, u shpreh ai.

Ai theksoi më tej se Ardi veliu është vetëm një nga majat e qeverisjes Rama. “Dihet tashmë se si ka ardhur ai në pushtet. Të gjithë kanë ardhur ose nga bota e krimit, ose kanë qenë persona që kanë pasur probleme me ligjin”, deklaroi Demiraj.

Gjitashtu ai u shpreh se se me Kryeministrin Edi Rama dhe me këto struktura të policisë sipas tij nuk mund të realizohen zgjedhje të ndershme.

Demiraj: Ardi Veliu është militant i PS dhe jo vetëm Veliu, por e gjithë kupola e policisë së shtetit. Me Edi Ramën kryeminsitër dhe me strukturë e policisë së sotme nuk mund të zhvillohen zgjedhje të ndershme dhe të drejta. Opozita ka kërkuar me forcë të jetë e depolitizuar. Roli dhe rëndësia e zgjedhje të lira dhe të ndershme është e rëndësishme të lexojnë vullnetin e popullit./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!