Sondazh

15 vite nga vrasjet në Bulevard, mendoni do ketë drejtësi për 21 janarin?

Loading ... Loading ...
 

Dëmet nga mjetet shqiptare jashtë vendit, siguruesit paguan 1.1 milionë euro në dy muajt e parë të vitit

schedule23:15 - 11 Prill, 2023

schedule 23:15 - 11 Prill, 2023

Kompanitë e sigurimeve paguan 128 milionë lekë ose rreth 1.1 milionë euro në dy muajt e parë të këtij viti për dëmet e shkaktuara nga automjetet shqiptare jashtë vendit.

Sipas të dhënave nga Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare (AMF), vlera e dëmeve në produktin e Kartonit Jeshil është rritur me 174% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Periudha e pas pandemisë ka sjellë një rritje të ndjeshme të turizmit dalës të shqiptarëve jashtë vendit. Sipas të dhënave nga INSTAT, vitin e kaluar daljet e shtetasve shqiptarë jashtë vendit u rritën me 40% krahasuar me vitin 2021.

Rritja ka vazhduar të ruajë ritme të ngjashme edhe për dy muajt e parë të vitit 2023. Pjesa më e madhe e daljeve jashtë vendit kryhen në rrugë tokësore dhe kjo është reflektuar edhe në rritjen e primeve të sigurimit nga Kartoni Jeshil. Për vitin e kaluar, primet e shkruara bruto për këtë produkt u rritën me 38% krahasuar me vitin 2021, ndërsa rritja ka vazhduar edhe për dy muajt e parë të këtij viti, me 14.6% më shumë krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Rritja e numrit të shqiptarëve që po udhëtojnë jashtë vendit me automjetet e tyre po sjell edhe një shtim të dëmeve të shkaktuar prej tyre.



Produkti i Kartonit Jeshil ose Certifikata Ndërkombëtare e Sigurimit Motorrik, certifikon dhe garanton sigurimin e Përgjegjësisë Civile ndaj palëve të treta, në të gjitha vendet Anëtare pjesë e Sistemit të Kartonit Jeshil.

Kartoni Jeshil, lëshohet nën autoritetin e çdo Byroje të Sigurimit, konform detyrimeve dhe përgjegjësive të marra nga anëtarësia në Këshillin e Byrove. Shqipëria përfaqësohet në këtë sistem nga Byroja Shqiptare e Sigurimit, ku për produktin e kartonit Jeshil janë të anëtarësuara shtatë nga tetë kompani të sigurimit të Jo-Jetës.

Kartoni Jeshil lëshohet nën autoritetin e Byrosë dhe ju furnizohet kompanive të sigurimeve anëtare të Byrosë. Çdo shoqëri anëtare, ka të drejtën t’ia u sigurojë klientëve të tyre që dëshirojnë të udhëtojnë jashtë kufijve të vendit.

Në tetor 2013, me vendimin e Këshillit të Byrove, Byroja Shqiptare e Sigurimit u vendos në statusin “në monitorim”, për shkak të rritjes së numrit të thirrjeve të garancive ndër vite, numrit të konsiderueshëm të pazgjidhur të kërkesave për dëmshpërblim, mos ndjekjen e rregullave të brendshme në lidhje me emërimin e korrespondentëve, mospjesëmarrjen e Byrosë në mbledhjet e asamblesë së përgjithshme dhe takimeve rajonale, si dhe ndryshimeve të vazhdueshme të drejtuesve të Byrosë.

Byroja Shqiptare e Sigurimit qëndroi me këtë status për afërsisht 10 vjet. Vetëm në dhjetor të vitit të kaluar, anëtarët e Bordit të Mbikëqyrjes të Këshillit të Byrove, pasi njohën progresin e arritur në vitet e fundit si dhe plotësimin e kritereve, vendosën të miratojnë heqjen e statusit të monitorimit për Byronë Shqiptare të Sigurimit.

Sipas informacionit nga AMF, përsa i përket kritereve financiare që lidhen me skemën e risigurimit dhe garancinë bankare, anëtarët e Bordit Mbikëqyrjes të Këshillit të Byrove, kanë vendosur që Byroja të vazhdojë të mbajë të njëjtën mbulesë risigurimi për kartonin jeshil dhe garancia financiare të zbresë me rreth 1 milionë euro, kjo për shkak të përmirësimit të vërejtur përgjatë viteve të fundit me rastet e thirrjes së garancisë./Monitor

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!