Demarkacioni/ Vetëvendosje: Më parë korrigjimi i gabimeve

schedule21:15 - 9 Mars, 2018

schedule 21:15 - 9 Mars, 2018

Në një kohë kur Kuvendi i Kosovës nuk ka kuorumin për ratifikimin e marrëveshjes së demarkacionit me Malin e Zi, lëvizja Vetëvendosje ka dalë me qëndrimin se më parë duhet bërë korrigjimi i gabimeve të vijës kufitare e më pas ratifikimit.

Në një tryezë të mbajtur këtë të premte, e cila kishte në fokus vijën e demarkacionit mes Kosovës dhe Malit të Zi, lëvizja Vetëvendosje ka dalë me qëndrimin se së pari duhet bërë korrigjimi i kufirit dhe më pas ratifikimi i saj në Kuvend. Kryetari i grupit parlamentar, Glauk Konjufca ka deklaruar se nëse ratifikimi bëhet i pari, korrigjimet më pas janë të pamundura.

“Nëse arrijmë në përfundimin se ka gabime, kur edhe presidenti ka thënë se mund të ketë, atëherë verifikimi i gabimeve duhet t’i paraprijë ratifikimit”, ka deklaruar Konjufca.

Nëse ndodh e kundërta, ka vijuar ai, atëherë shanset për korrigjim kthehen në zero.

“Nëse një version i gabuar i demarkacionit hidhet poshtë me shumicë votash në Kuvend, atëherë kemi një akt sovran që nuk përbën asnjë rrezik. Por nëse ratifikohet një version i gabuar dhe më pas ka përpjekje për të bërë ndryshime, atëherë pala e dëmtuar ka gjasa ta cilësojë këtë si një agresion territorial, që mund të çojë në tensione dhe prishje të marrëdhënieve politike e diplomatike”, ka thënë Konjufca.

Në të njëjtat linja, kryetari i Vetëvendosjes, Albin Kurti ka deklaruar se mbi çështjen e demarkacionit ka patur së fundmi dy zhvillime: gatishmëria e Malit të Zi për të negociuar dhe gatishmëria e presidentit Thaçi për të pranuar gabimin.

“Ndaj nuk duhet gabuar me hapat. Së pari duhet të bëhet korrigjimi i vijës kufitare dhe më pas ratifikimi”, ka thënë Kurti.

Ndërkohë, sipas mediave kosovare, Kuvendi i Kosovës ende nuk ka arritur të sigurojë votat e nevojshme për ratifikimin e marrëveshjes./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!