Demarkacioni/Kryeministri i Malit të Zi viziton Kosovën në shkurt

schedule12:12 - 24 Janar, 2018

schedule 12:12 - 24 Janar, 2018

Ndërsa demarkacioni i kufirit Kosove – Mal i Zi mbetet temë e nxehtë dhe kusht për liberalizimin e vizave për shtetasit kosovarë, kryeministri malazez pritet të zhvillojë një vizitë zyrtare në Prishtinë në fillim të muajit shkurt.

Kryeministri i Malit të Zi, Dushko Markovic, do të vizitojë Kosovën në datën 6 shkurt. Lajmi është konfirmuar për mediat kosovare nga burime të kryeministrisë në Prishtinë. Sipas këtyre burimeve, vizita është konfirmuar dhe kanë nisur përgatitjet.

Vizita e kryeministrit malazez bëhet me ftesë të kryeministrit Haradinaj, ndërkohë që pritet t’i hapë rrugë zgjidhjes së çështjes së demarkacionit mes Kosovës dhe  Malit të Zi.

Marrëveshja për kufirin me Malin e Zi është kriter për liberalizimin e vizave, ndërkohë që ratifikimi I marrëveshjes ekzistuese mes dy palëve, duket ende shumë larg pasi parlamenti I Kosovës nuk ka pranuar ta votojë.

Marrëveshja është dërguar në Kuvend, por ende nuk është vendosur në rend dite. Bashkë me të është dërguar edhe një raport i hartuar nga Komisioni “Bulliqi”, ku thuhet se Kosova ka humbur tokë nga kjo Marrëveshje. Kundër kësaj Marrëveshjeje, është edhe vetë partia e kryeministrit Haradinaj./abcnews.al