Demarkacion/ Për Malin e Zi çështje e mbyllur

schedule22:16 - 14 Shkurt, 2018

schedule 22:16 - 14 Shkurt, 2018

Ndonëse për vendin e tij e ka konsideruar një çështje të mbyllur, kryeministri i Malit të Zi, Dushko Markoviç, gjatë vizitës në Prishtinë ka shprehur vullnet për të dialoguar me qeverinë kosovare për gjetjen e një zgjidhjeje të përbashkët për demarkacionin.

I pritur në Prishtinë me nderime të larta, kryeministri i Malit të Zi, Dushko Markoviç ka deklaruar se për vendin e tij, demarkacioni është një çështje e mbyllur. Sidoqoftë, në konferencën e përbashkët për shtyp me kryeministrin e Kosovës Ramush Haradinaj, Markoviç ka nënvizuar se Podgorica zyrtare është e hapur për arritjen e një zgjidhjeje përmes dialogut.

Dushko Markoviç: “Për Malin e Zi, kjo çështje ka përfunduar në Parlamentin e Malit të Zi. Ndërsa Kuvendi i Kosovës nuk e ka ratifikuar atë. Mali i Zi dëshiron të ndihmojë që kjo çështje të zgjidhet, që të arrihet një marrëveshje për kufirin shtetëror. Por nuk duam në këtë moment të bëjmë dallime të caktuara për probleme dhe çështje të hapura. Kemi biseduar si miq dhe në vijim të dialogut do të gjejmë zgjidhjen më të mirë”.

Në të njëjtat linja është shprehur edhe Haradinaj.

Ramush Haradinaj: “Nuk do të shtoja më shumë. E kemi biseduar edhe këtë temë. Mund të them se ekziston një vullnet i mirë për të dalë nga gjendja ku jemi. Duke parë zhvillimet e mëhershme jam me shpresë se do të dalim nga kjo situatë”.

Pavarësisht insistimit të mediave, dy kryeministrat kanë refuzuar të japin afate konkrete për zgjidhjen e çështjes.

Dushko Markoviç: “Jemi politikanë të përgjegjshëm. Nuk jemi këtu për të lënë gjërat mënjanë, por për të gjetur zgjidhje të mira e të qëndrueshme. Në Ballkan është me rëndësi të merren zgjidhje të shpejta, sepse janë përcaktuese. Por biseda e sotme ishte në drejtim të dialogut intensiv”.

Ramush Haradinaj: “Jam dakord me qëndrimin e kryeministrit”.

Ndër të tjera, Haradinaj ka shtuar se mirëpret ardhjen në Kosovë të ushtarëve të Malit të Zi, të cilët do të jenë të pranishëm në kuadër të misionit të KFOR-it./abcnews.al