Përhapja e varianteve të reja të Covid është një ndër shqetësimet kryesore në të gjithë botën, pasi ka sjellë rritjen e numrit të të infektuarve ditorë dhe të vdekshmërisë.
Këtë të martë në ABC Live në një panel mjekësh është diskutuar në lidhje me ndikimin që kanë variantet e reja në lidhje me numrin e të infektuarve dhe sa të rrezikshëm janë ato për të ardhmen.
Epidemiologut Ilir Alimehmeti në fjalën e tij me gazetaren Juli Xhokaxhi ka dhënë detaje në lidhje me situatën pandemike ku ka theksuar se qëndrueshmëria e shifrave të të infektuarve është një shpresë për uljen e numrit të infektimeve në ditët në vijim.
Ndër të tjera ai ka folur në lidhje me përhapjen e varianteve të reja ku theksin e ka vënë tek varianti Delta duke e quajtur dhe më mbizotërues se të tjerët.
“Situata është e qëndrueshme që do të thotë se s’kemi diferencë nga java në javë pasi më parë kishim një dyfishim të rasteve. Kemi një frenim dhe të shpresojmë që jemi në fazën ku shpresojmë të shikojmë një ulje të numrit të rasteve. Ne po presim dhe thyerjen e kurbës së të infektuarve duke menduar që me situatën e qëndrueshme të kemi dhe një rënie.
Variantin nuk e ndan klinikisht por përmes sekuencimit gjenetik. Varianti gjatë qershorit dhe korrikut ka pasur një përqindje prej 1-2% dhe duket se kohët e fundit në Evropë është zhdukur, është mbizotërues në Amerikën Jugore. Mu është shfaqur që në janar të vitit 2021 dhe duket se ka pasur kohë mjaftueshëm për tu përhapur, por duket se delta është më mbizotëruese në Evropë dhe duket se po na ruan nga varianti Mu. Kolumbinë, Perunë i ka kapur shumë, ndërsa Brazilin jo për shkak se aty mund të ketë më shumë imunitet natyral.
Varianti alfa është një tjetër variant që nuk e kapërcen imunitetin, për Deltën u mendua sërish një gjë të tillë dhe CDC e tha se një gjë e tillë nuk ka asnjë ndikim”, ka thënë ai.
Mjeku Blin Nagavci në një lidhje për ABC Live ka dhënë detaje në lidhje me situatën pandemike në Kosovë ku thekson se rritja e numrit të të infektuarve dhe viktimave është dhe si rezultat i nisjes me vonesë i procesit të vaksinimit.
“Situata ka qenë shumë serioze duke filluar nga muaji gusht ndryshe nga fillimi i verës që ishte mjaft pozitive por duket se lirimi i masave ka shënuar dhe rritjen e numrit të të infektuarve. Piku ka qenë më 25 gusht dhe spitalet gjatë kësaj periudhe ka qenë i mbingarkuar. Ditët e fundit kemi një ulje të rasteve të reja dhe shkallës së pozitivitetit që tregon një përmirësim të situatës në terren”, është shprehur ai.
Ndërkohë sa i përket përhapjes së variantit Mu në Britani, i ftuar në studion e ABC Live ka qene mjeku Adi Fandi i cili është shprehur se
“Në Britani ka hyrë varianti mu dhe po rishikohen të gjithë të dhënat për të bërë studimet për të parë ndikimin që ka në imunitet. Akoma nuk ka një studim në lidhje me këtë. Varianti delta ka prekur të gjithë fashën e re, nga 3 muaj deri mbi 30, kemi vënë re shumë njerëz që vijnë me kollë dhe ne nuk e dinim që ai mund të ishte Covid, unë kam pa shumë raste me pneumoni virale, janë të rralla por qëndrojnë. Për variantin Mu akoma nuk kemi raste të konfirmuar, ka persona pozitiv dhe mendohet se janë me këtë lloj varianti”, ka thënë Fandi. /abcnews.al