Delegacionet e Kosovës dhe Serbisë në Bruksel – përplasje mbi çështjet që duhet të diskutohen

schedule20:09 - 16 Nëntor, 2021

schedule 20:09 - 16 Nëntor, 2021

Delegacionet e Kosovës dhe Serbisë po qëndrojnë në Bruksel për të diskutuar zbatimin e marrëveshjeve të arritura në bisedimet e deritashme për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet të dyja vendeve. Varësisht nga përparimet në bisedimet e delegacioneve që udhëhiqen nga zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi dhe shefi i zyrës serbe për Kosovën, Petar Petkoviç, varet nëse do të ketë një takim të nivelit më të lartë politik.

Të hënën, shefi i politikës së Jashtme të Bashkimit Evropian, Josep Borrell, tha se u ka dërguar ftesë kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe presidentit serb, Aleksandër Vuçiç, për një takim para fundit të vitit.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha se takimi që është paralajmëruar me presidentin e Serbisë, do të varet edhe nga suksesi i takimeve të sotme në Bruksel.

“Dhe në anën tjetër, sa mirë do të arrijmë ta përgatisim takimin e tretë midis nesh. Ne kemi shfaqur rregullisht gatishmërinë tonë për dialog parimor nga i cili përfitojnë qytetarët dhe jo politikanët, politikanët janë për të shërbyer e jo për të përfituar, e që e ka në qendër të saj njohjen reciproke”, tha ai.

Por, të dyja palët vazhdojnë të kenë qëndrime të ndryshme për temat që duhet të diskutohen. Kryeministri Kurti tha se tema kryesore duhet të jetë ajo e ndriçimit të fatit të personave të zhdukur gjatë luftës.

Serbia ngulë këmbë që të diskutohet për formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

Kryenegociatori serb, Petar Petkoviç, tha se delegacioni i Beogradit ndodhet në Bruksel për të biseduar për formimin e Asociacionit.

“Asociacioni i komunave serbe si institucion mono-etnik nuk është në përputhje as me frymën dhe germën e Kushtetutës së Kosovës dhe Kushtetutën duhet ta ndryshoj Serbia ku shkruan që Kosova është pjesë integrale e Serbisë”, tha ndërkaq kryeministri Kurti.

Delegacionet u takuan gjatë ditës ndarazi me të dërguarin e Posaçëm të Bashkimit Evropian për bisedimet Kosovë–Serbi, Miroslav Lajçak, por nuk pati një takim trepalësh.

Zyrtarët e Bashkimit Evropian nuk kanë saktësuar se cilat do të jenë temat e bisedimeve, duke theksuar se do të shqyrtohet zbatimi i marrëveshjeve të deritashme dhe rruga përpara në procesin e bisedimeve.

Të hënën ministrat e Jashtëm të vendeve anëtare të Bashkimit Evropian, thanë se presin që Prishtina dhe Beogradi të përmbushin marrëveshjet e arritura në bisedime, ndërsa shfaqën shpresën për përkushtim të palëve për të hedhur hapat tjerë drejt një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse, që është kusht për integrimet evropiane të tyre./VOA

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!