Presidenca njoftoi sot se pas mbërritjes së propozimit të ri nga Kryeministri Rama për emërimin e Sandër Lleshaj si Ministër i Brendshëm, kreu i shtetit Ilir Meta ka nisur procesin e bashkëpunimit me institucionet përgjegjëse. Sipas njoftimit të Presidencës, ky bashkëpunim ka synim marrjen e përgjigjeve të qarta, të plota dhe shteruese ndaj të gjitha çështjeve për të cilat, Presidenti nuk mundi të sqarohej herën e parë, pavarësisht nga përpjekjet e tij të vazhdueshme për bashkëpunim.
“Lidhur me këtë proces të ri, Presidenti ka vendosur të informojë mbi kërkesat e tij edhe Kryetarin e Kuvendit, pasi procedura e emërimit të një ministri është proces bashkëpunimi i detyrueshëm e kushtetues midis tre institucioneve (Kryeministri, Presidenti, Kuvendi)”, thuhet në deklaratën për shtyp të Presidencës.
Presidenti Meta, -vëren sqarimi i Presidencës-, është i vendosur të përmbushë përgjegjësitë e tij kushtetuese me rigorozitet dhe brenda afateve kushtetuese, vetëm në interes të respektimit të Kushtetutës dhe forcimit të sigurisë kombëtare ku Ministria e Brendshme ka një rol kyç./abcnews.al


