“Është e rëndësishme t’ju them se konflikti Nagorno-Karabak tregon se konfliktet e ngrira mund të përshkallëzohen në çdo moment. Situata me Kosovën nuk do të jetë e lehtë në muajt e ardhshëm. Nuk duhet t’ua lëmë fëmijëve tanë konfliktin e ngrirë.”
Është kjo deklarata e Presidentit serb Aleksander Vuçiç që ka shkaktuar jo pak debat si nga pala shqiptare, ashtu edhe nga organizata ndërkombëtare.
Për të komentuar më tej këtë deklaratë, i ftuar në ABC, mbrëmjen e kësaj të premteje ishte aktivisti dhe drejtori ekzekutiv i Lëvizjes VetëVendosje në Tiranë, Bojken Abazi.
Duke folur për komentet e Vuçiç, si dhe për deklaratën sqaruese që ai bëri më pas, Abazi tha se Serbia dhe drejtuesit e saj, “edhe sot e kësaj dite po kërcënojnë se duan të marrin pjesërisht apo tërësisht Kosovën.”
“Këto janë deklaratat e një krimineli lufte, që është në krye të shtetit të Serbisë…Dhe, ka qenë propagandues i mbulimit të krimeve gjenocidiale të Serbisë. Ky person na ka bërë të qartë në të gjitha mënyrat e mundshme që nuk ka ndryshuar…Kosova e ka shpallur pavarësinë, Serbia po kërcënon.”
Po ashtu, Abazi sugjeroi se është e rëndësishme që përtej deklaratave të Vuçiç është e rëndësishme që të shihet edhe një tjetër deklaratë, ajo e bërë nga Jelena Milic. Ajo është drejtoresha e Qendrës për studime Euro-Atlantike në Beograd.
Ajo, sipas Abazit ka thënë: ” E përgëzoj Vucic për detyrën që i ka caktuar ministres së Ekonomisë, për të zhvilluar industrinë ushtarake nga Trsteniku, qytezë në jug të Serbisë, në Leposaviç, një nga katër komunat në veri të Ibrit në Kosovë.”
Pra Serbia, shton drejtuesi i LVV në Tiranë, Serbia po përgatitet të zhvillojë industrinë ushtarake të sajën brenda Kosovës.
“Edhe nëse ai bën një lloj deklarate për të mbuluar diçka që tha dje, që në fakt nuk është tërheqje e plotë, planet e qeverisë së Serbisë, janë zhvillimi i industrisë ushtarake në Kosovë.”
I pyetur nëse duhet të druhemi se Serbia do të na vijë në Tiranë apo Prishtinë, Abazi thotë se Vuçiç ështe duke e menduar luftën.
“Buxheti për ushtrinë i Kosovës dhe i Serbisë, i bërë bashkë nuk është sa një e treta e Serbisë. E cila sapo bleu dronët nga Kina që e kanë rrezen deri në Sarandë. Po bëjnë atë që në fakt duhej ta bënte Shqipëria dhe Kosova…Ne duhet të kishim patjetër një doktrinë të përbashkët ushtarake. Stërvitje të përbashkëta ushtarake.” s.b/abcnews.al/