Deklaratat e Thaçit në Tiranë, reagon Vuçiç

schedule15:00 - 2 Mars, 2019

schedule 15:00 - 2 Mars, 2019

Një ditë pasi presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, deklaroi se nuk do të ketë ndryshim kufijsh, ka reaguar kreu i shtetit serb Vuçiç, sipas të cilit të gjithë liderët në Kosovë janë kundër kësaj ideje, duke bërë që marrëveshja mes dy vendeve të jetë ende shumë larg.

Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, deklaroi se Kosova dhe Serbia janë me vite dritë larg marrëveshjes nëse kihet parasysh ajo që po ndodh aktualisht. Mediat në Kosovë raportojnë se Vuçiç reagoi ndaj deklaratës së Presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, i cili në Tiranë foli kundër korrigjimit dhe kundër ndarjes së Kosovës. Sipas Vuçiç kjo nënkupton një fakt që Beogradi e di tashmë: politika e vendeve perëndimore është edhe politikë e Prishtinës, që një Kosovë e pandashme mund të jetë Kosovë e pavarur. Thaçi vetëm sa e konfirmoi këtë, theksoi Vuçiç.

Sipas tij, tani të gjithë liderët në Prishtinë janë kundër ndryshimit të kufijve. “Express” raporton se presidenti serb shkuar dhe më tej me deklaratat e tij duke thënë se Prishtina po përpiqet të zhvillojë “një sulm” në Veri pas deklaratave të Thaçit për Milan Radojçiç, të cilin Vuçiç ka tentuar ta shfajësojë për vrasjen e Oliver Ivanoviç duke thënë se ai ka qenë 500 kilometra larg kur ka ndodhur vrasja. Vuçiç përsëriti se Lista Serpska ka dhe 45 ditë kohë për t’u larguar nga institucionet e Kosovës dhe se deri atëherë do shihet nëse qeveria e Kosovës do ta heqë taksën e vendosur ndaj produkteve serbe, e cila ka pasoja shumë negative në ekonominë e vendit./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!