“Deklarata që hiqte Shqipërinë nga gjendja e luftës nuk u botua në Fletoren Zyrtare”, Idrizi: Solli probleme të mëdha mes dy vendeve

schedule20:29 - 9 Korrik, 2024

schedule 20:29 - 9 Korrik, 2024

Parlamenti nuk do të humb kohë për t’i kërkuar Greqisë aborgimin e luftës që ekziston prej 84 vitesh mes dy vendeve tona.

Maxhoranca dhe opozita mbështetën grupin e deputetëve të PDIU-së, që të enjten e shkuar publikuan një draft deklaratë, që do të diskutohet dhe miratohet në seancën e 18 korrikut.

Lidhur me këtë ka folur në “Real Story” dhe kryetari i PDIU-së, Shpëtim Idrizi, i cili ka thënë se deklarata që hiqte Shqipërinë nga gjendja e luftës nuk u botua në Fletoren Zyrtare. Ai theksoi se kjo solli shumë probleme të mëdha mes dy vendeve.

“Ligji i luftës është me fuqi të plotë, por sigurisht vendosja e marrëdhënieve diplomatike në 1971, sigurisht që tërheq ato vendimet territoriale midis dy vendeve tona, sepse ne bëjmë njohjen reciproke. Por ndërkohë, kur vendosim një ligj lufte ka disa akte që e shoqërojnë. Ekzistonte gjendja e luftës dhe ne e dimë dhe na është thënë që qeveria greke ka nxjerrë një deklaratë në 1987, e cila deklaronte heqjen e gjendjes së luftës. Pra, u paraqit një deklaratë që e hiqte Shqipërinë nga gjendja e luftës, por kjo deklaratë nuk mori asnjëherë forcë ligjore se nuk u botua në fletoren zyrtare, që do të thotë pasojat e gjendjes së luftës, por dhe aktet e tjera juridike që kanë prodhuar pasoja, si akte pronësie.

Më duhet të them një gjë interesante, se kush janë aktet. Në 47, Greqia e heq ligjin e luftës me Italinë, pra të njëjtin ligj, nëpërmjet një akti ndërkombëtar, Traktatit të Paqes. Edhe bëjnë një traktat paqeje.

Pra, filloi dhe Italia dhe Greqia të diskutonin për pasojat dhe bën një akt tjetër ekuivalent dhe prandaj e kemi theksuar që nuk mjafton vetëm heqja e ligjit të luftës. Tani me pjesën e parë të ligjit Greqia e ka hequr, tani ka ngelur edhe pjesa me Shqipërinë, si një marrëzi apo budallallik. Por kjo sjellë pasoja shumë të mëdhaja, probleme shumë të mëdhaja mes dy vendeve. Mban peng pjesëza të politikës greke që pretendojnë territore, pra pretendim për Vorio Epirin”, u shpreh Idrizi./abcnews.al