Më shumë se 74 mijë individë duhet të plotësojnë deklaratën e tatimit mbi të ardhurat për vitin 2022. Afati i fundit për plotësimin e saj është 30 prilli.
Sipas të dhënave të Tatimeve, rreth 16.7 mijë janë tatimpagues me të ardhura mbi 2 milionë lekë që kanë detyrimin e pagesës së tatimit mbi të ardhurat. Ndërsa pjesa tjetër mbi 57.2 mijë janë të dypunësuar, kategori që u përfshi në këtë skemë që prej vitit 2020.
Referuar të dhënave zyrtare, nga Tatimi mbi Deklaratën Vjetore të të Ardhurave, Administrata Tatimore arkëtoi vitin e kaluar rreth 9.2 milionë euro, 4.3% më shumë se në vitin 2021.
Të ardhurat nga ky zë kanë njohur rritje, ndikuar edhe nga përfshirja në këtë skemë taksimi e individëve të punësuar në më shumë se një punëdhënës për të tretin vit radhazi.
Për pasaktësi në deklarimin e të ardhurave, informacione të gabuara apo mosplotësim në afat të deklaratës vjetore, Tatimet parashikojnë gjobë që aktualisht llogaritet në 5 mijë lekë.
Por, me draftin e ri të Tatimit mbi të Ardhurat, parashikohet që gjoba të ulet në 3 mijë lekë. Projektligji ka marrë miratimin nga Komisioni përgjegjës për Ekonominë dhe pritet t’i kalojë së shpejti Parlamentit për votim.
Vitin e kaluar, detyrimin për deklarimin e të ardhurave personale e kishin mbi 82 mijë individë në të gjithë vendin, ndërsa të ardhurat e grumbulluara nga ky zë rezultuan në 8.3 milionë euro.