Kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, reagoi këtë të enjte nga foltorja e Kuvendit të Shqipërisë lidhur me proceset gjyqësore ndaj ish-krerëve të UÇK-së, duke i cilësuar pretendimet e prokurorisë si të padrejta dhe me pasoja të rënda për perceptimin mbi Luftën Çlirimtare të Kosovës.
Në fjalën e tij gjatë seancës plenare, Balla theksoi se qëndrimi i Partisë Socialiste është në “konsekuencë të plotë” me mbështetjen ndaj Kosovës dhe pastërtisë së luftës së saj çlirimtare. Ai deklaroi se, sipas logjikës së akuzave, edhe figura historike si Adem Jashari do të përfundonin të dënuar, ndërsa shtoi se nuk mund të përballen me dënime ish-krerët e UÇK-së për faktin se “luftuan për vendin e tyre”.
Balla përmendi gjithashtu ndërhyrjen e NATO-s në Kosovë, duke përfshirë ish-presidentin amerikan Bill Clinton, për të theksuar se, sipas tij, akuzat e ngritura krijojnë një interpretim të shtrembëruar të historisë. Ai e cilësoi pretencën ndaj ish-drejtuesve të UÇK-së si “një batërdi të tmerrshme” dhe një vazhdim të, sipas tij, “baltosjes” së luftës së Kosovës ndër vite.
Në përfundim, Balla e konsideroi situatën një “alarm të madh”, duke paralajmëruar se një vendimmarrje në përputhje me kërkesat e prokurorisë do të sillte pasoja të rënda për imazhin e shqiptarëve dhe për vlerësimin historik të Luftës Çlirimtare të Kosovës.
“Në emër të PS dua të shpreh qartazi se kjo deklaratë është në konsekuencë të plotë me PS sa i tako çështjeve që lidhen me Kosovës dhe pastërtinë e Luftës Çlirimtare në Kosovës dhe në arsyet që çuan në krijimin e kësaj gjykatë. Të dashur qytetarë sikur sot të ishte gjallë Adem Jashari sipas këtyre prokurorëve edhe ai duhej të dënohej me 45 vite burg se luftuan për vendin e vet.
Nuk mund të përballen edhe ish-krerët e UÇK, sepse luftuan për vendin e tyre. Edhe Bill Clinton që urdhëroi NATO-n që të ndërhyjë për forcat serbe, i bie që të futet në burg. I bie që këta nuk kanë thënë të vërtetën. Pretenca e ish-krerëve të UÇK është një batërdi e tmerrshme dhe një blatë në vijim të baltave që janë hedhur në këto 27 vite në Luftën Çlirimtare të Kosovës. Luftimet u kanë lënë vend trillimeve se UÇK na paska qenë një grup i strukturuar kriminal. Është një alarm i madh. Nëse ajo gjykatë në fund të këtij procesi i referohet kësaj kërkesë të kësaj prokurorie, i bie që shqiptarët na qenkan vrasës”, tha Balla.


