Deklarata e bujshme, pse legjenda katalanase nuk do e intervistojë kurrë CR7

schedule14:28 - 25 Mars, 2020

schedule 14:28 - 25 Mars, 2020

Hristo Stoichkov është futbolli më i madh që ka nxjerrë Bullgaria. 54-vjeçari fitoi “Topin e Artë” në 1994, vit ku udhëhoqi kombëtaren e vendit të tij në gjysmëfinalet e Kupës së Botës. Ish-sulmuesi i kaloi vitet më të bukura te Barcelona, ndërsa sot ka nisur karrierën e gazetarit. Stoichkov bën intervista të ndryshme dhe po zbavitet me këtë gjë, teksa ka dhënë një prononcim shumë interesant për Mundo Deportivo.

INTERVISTAT – “Kam kryer më shumë se 50 me fenomenë nga e gjithë bota. Nuk e përjashtoj realizimin e një DVD-je. Nuk zgjedh dot më të mirën. Më të lehtat janë ato që bëj për familjen time Barcelonën. Kur bisedoj me Messin, ai e kupton që kam përjetuar të njëjtën gjë, ‘Topin e Artë’. Nuk do të shohim më një futbollist si ai”.

TRAJNERËT – “Mourinho më do shumë. Është gjithmonë interesante ta dëgjosh atë, është një djalë që të surprizon. Më pëlqejnë edhe intervistat me Ancelottin, janë të lezetshme, ai është një person i jashtëzakonshëm. E dini ku më kanë trajtuar shumë mirë? Tek Atletico Madrid.

Presidenti është fantastik, edhe Simeone u soll në një mënyrë të jashtëzakonshme me mua. Intervistova Jurgen Klopp tre ditë përpara finales së Champions League. Më ftoi të shkoja në hotelin ku ishte Liverpool, Klopp është një fenomen”.

PREFERENCA – “Kam intervistuar të gjithë njerëzit që dua, duke përfshirë edhe Hagi e Popescu, ish-shokët e mi të skuadrës. E dini me cilin nuk do bëj kurrë një intervistë? Me Cristiano Ronaldon. Nuk kam asnjë lloj dëshire ta bëj. Nuk dua. Bëj intervista për futbollin, nuk kërkoj tituj të bujshëm, flas për anekdota, për mësime jete… Me më të mirët”. /abcnews.al