Dekada e ardhshme e NATO-s

schedule10:59 - 8 Korrik, 2023

schedule 10:59 - 8 Korrik, 2023

Nga Anders Fogh Rasmussen, Dmytro Kuleba, Kristi Raik, Angela Stent, Liana Fix, Ulrich Speck, A. Wess Mitchell, Ben Hodges, Anne-Marie Slaughter, dhe Stefan Theil, Foreign Policy

Përktheu Sonila Backa-abcnews.al

Çfarë ishte NATO para pushtimit të Ukrainës nga Rusia?

Një relike e Luftës së Ftohtë në kërkim të një misioni, një kanal kullues në Uashington, një ngacmues i panevojshëm për një Rusi jo-kërcënuese, sipas ekspertëve akademikë dhe mediatikë. Presidenti francez Emmanuel Macron, eksperti kryesor i Europës, e përmblodhi në mënyrë të famshme gjendjen shpirtërore duke e quajtur aleancën “të vjetëruar”.

Vendet më afër Rusisë e dinin ndryshe, natyrisht, dhe pa u lodhur paralajmëruan kolegët e tyre perëndimorë se aleanca ende i shërbente një qëllimi jetik.

Sot, në shumë mënyra, NATO është kthyer në rrënjët e saj si një mburojë e Perëndimit transatlantik kundër një Kremlini ekspansionist.

Duke kërkuar mbrojtjen tradicionale të bllokut, Finlanda është bashkuar, Suedia është në pritje dhe rruga e Ukrainës drejt anëtarësimit do të diskutohet kur krerët e NATO-s të takohen në samitin që do të mbahet javën e ardhshme në Lituani.

Si aleatë të Rusisë, Kinës dhe Iranit tani ndikojnë drejtpërdrejt në sigurinë europiane; NATO, nga ana tjetër, po shikon kërcënime të reja në lindje, raporton abcnews.al.

Me kombinimin e saj asinkron të teknologjisë së shekullit të 21-të dhe luftës së harruar prej kohësh, beteja tokësore duket shumë e ndryshme sot, me shumë mësime nga Ukraina për NATO-n që ende duhet të përvetësojë.

Rusia është shumë më e vogël dhe më e dobët se Bashkimi Sovjetik, veçanërisht pas shkatërrimit të forcave të saj në Ukrainë por ajo ende ka arsenalin e saj bërthamor.

Siç tregoi marshimi i grupit Ëagner drejt Moskës, vendi është gjithashtu më pak i qëndrueshëm dhe i parashikueshëm se sa ka qenë ndonjëherë Bashkimi Sovjetik, duke i dhënë aleancës një grup krejtësisht të ri të skenarëve të Rusisë për t’u përgatitur.

Dhe ndryshe nga koha e lulëzimit të NATO-s, ajo që atëherë quhej ende “Bota e Tretë” nuk është e kënaqur të shikojë nga larg, por dëshiron të tregojë në fakt se si menaxhohen konfliktet.

Për të na dhënë një kuptim se si një NATO e rigjallëruar mund t’i trajtojë këto dhe sfida të tjera, Foreign Policy pyeti nëntë ekspertë të njohur nga Europa dhe Shtetet e Bashkuara për pikëpamjet e tyre, raporton abcnews.al

Më poshtë, ata diskutojnë disa nga temat më të rëndësishme me të cilat përballen liderët e NATO-s javën e ardhshme, nga anëtarësimi për Ukrainën te roli i bllokut në përballjen me Kinën.

Garancitë e sigurisë janë ura e Ukrainës drejt anëtarësimit

Nga Anders Fogh Rasmussen, ish-sekretar i përgjithshëm i NATO-s

Udhëheqësit e NATO-s që do të takohen në Vilnius duhet të pranojnë se paqja dhe stabiliteti në Europë mbështeten në një Ukrainë të sigurt dhe të pavarur.

Në fund të fundit, kjo nënkupton anëtarësimin e Ukrainës në NATO. Personalisht, unë besoj se liderët duhet t’i bëjnë tashmë një ftesë Ukrainës për t’u bashkuar në Vilnius, por për fat të keq, disa liderë të vendeve anëtare të NATO-s janë ende në mëdyshje ndërkohë që lufta ende vazhdon. Ky është një gabim. Pasi nëse anëtarësim i Ukrainës varet nga presidenti Putin, atëherë do ta nxisni atë për ta vazhduar luftën pafundësisht.

Nëse nuk ka një ftesë për t’u anëtarësuar në NATO, alternativa e dytë më e mirë do të ishte  një rrugë drejt anëtarësimit në tre hapa.

Së pari, konfirmoni se sapo Ukraina të marrë një ftesë për të qënë pjesë e NATO-s, ajo mund të ndjekë të njejtën rrugë sit ë Finlandës dhe Suedisë drejt procedurave të përshpejtuara të anëtarësimit.

Së dyti, zotohuni të rishikoni çështjen e zgjerimit të NATO-s në samitin e 75-vjetorit të aleancës në Uashington vitin e ardhshëm.

Së fundmi, duhet të krijohet një këshill NATO-Ukrainë për të punuar mbi kushtet që duhen plotësuar që Ukraina të bashkohet me aleancën.

Këto hapa do t’i dërgonin një mesazh të qartë Putinit: Më shpejt se sa vonë, Ukraina do të bëhet anëtare dhe se ai nuk mund ta ndalojë këtë process.

Anëtarësimi në NATO është destinacioni përfundimtar, por për të arritur atje, ukrainasve u duhet stabilitet dhe siguri. Kjo është arsyeja pse ata kanë nevojë për një hap të katërt: garanci të fuqishme sigurie tani.

Edhe përpara samitit të javës së ardhshme, një grup aleatësh të Ukrainës duhet të mbështesin garancitë e bazuara në Paktin e Sigurisë së Kievit.

Garancitë e sigurisë nuk mund të jepen me një copë letër. Memorandumi i Budapestit i vitit 1994 garantoi kufijtë dhe sovranitetin e Ukrainës  dhe rezultoi të ishte i pavlerë kur kishte rëndësi.

Kjo duhet të përfshijë një angazhim të pafund nga një grup vendesh garantuese për të ofruar armë, trajnime të përbashkëta nga Bashkimi Europian dhe NATO-s jashtë Ukrainës, shkëmbimi i inteligjencës, si dhe investime të qëndrueshme në bazën ushtarako-industriale të Ukrainës. Kjo duhet të modelohet në mbështetjen ushtarake afatgjatë të Shteteve të Bashkuara për Izraelin, raporton abcnews.al.

Garancitë e sigurisë nuk janë një qëllim në vetvete, por ato mund të sigurojnë urën që Ukraina të bëhet një anëtare e plotë e NATO-s dhe BE-së. Ato mund të ofrojnë sigurinë e nevojshme për rimëkëmbjen e ekonomisë së Ukrainës, fillimin e rindërtimit dhe kthimin e miliona ukrainasve në shtëpitë e tyre.

Takimi i liderëve në Vilnius nuk duhet të përsërisë gabimet e së kaluarës. Ata duhet të mbështesin garanci të forta sigurie dhe në rrugës e saj drejt NATO-s. Nëse ata nuk arrijnë ta bëjnë këtë, ne rrezikojmë një destabilitet dhe konflikt të pafund në tokën europiane.

Anëtarësimi i Ukrainës në NATO do ta bëjë Evropën më të sigurt

Nga Dmytro Kuleba, ministër i Jashtëm i Ukrainës

Ndërsa samiti i Vilnius po afrohet, beteja e argumenteve nëse Ukraina duhet të marrë ftesën për të qënë pjesë e NATO-n është ende në diskutim. Ndërkohë, ukrainasit po luftojnë në luftën më të përgjakshme të Europës që nga viti 1945 – duke humbur të dashurit, duke mposhtur pushtuesit rusë dhe duke çliruar atdheun e tyre.

Sot, komandantët, ushtarët dhe e gjithë shoqëria e Ukrainës po fitojnë përvojë thelbësore në mbrojtjen kundër kërcënimit rus.

Nesër, ata do të kontribuojnë me forcën e tyre për ta bërë të gjithë NATO-n të sigurt.

Kush nuk do të donte një aleat me forcën, guximin dhe këmbënguljen e Ukrainës?

Është një realitet i ri në krahasim me vitin 2008, hera e fundit që në një samit të NATO-s u diskutua zyrtarisht anëtarësimi i Ukrainës. Ukraina e sotme është një kontribues neto i sigurisë, duke mbrojtur veten dhe komunitetin euroatlantik nga një Rusi agresive dhe revanshiste.

Kur Ukraina të fitojë luftën dhe të bashkohet me NATO-n, do të jenë brigada ukrainase jo ato amerikane apo gjermane  që do të ruajnë krahun lindor të NATO-s.

Asnjë anëtar tjetër i NATO-s nuk ka përvojën dhe aftësitë tona, duke përfshirë mënyrën se si të reagojmë dhe të zmbrapsim një pushtim brenda disa orësh. Kjo zgjidh një nga çështjet më serioze të aleancës, koha e reagimit të shpejtë ndërkohë që rrit sigurinë kolektive.

Ne nuk po kërkojmë anëtarësim të menjëhershëm. Ne nuk do ta tërheqim NATO-n në këtë luftë.

Ne kurrë nuk kemi kërkuar trupa të huaja në terren në Ukrainë. Me ndihmën bujare të partnerëve tanë, ne do ta mposhtim Rusinë vetë. Kjo luftë është e jona për të luftuar.

Por lufta e ardhshme mund të shmanget duke pranuar Ukrainën në NATO. Prandaj, ajo që ne kërkojmë është një hap i fortë drejt anëtarësimit të ardhshëm të Ukrainës. Në Vilnius, i kërkojmë NATO-s të njohë tre gjëra të dukshme:

Së pari, NATO-s i duhet Ukrainës po aq sa Ukraina ka nevojë për NATO-n; së dyti, Ukraina është pjesë e pandashme e sigurisë euroatlantike; dhe së treti, Ukraina duhet të ftohet tani për t’u bashkuar me NATO-n, me anëtarësimin që të hyjë në fuqi kur të plotësohen kushtet.

Një ftesë si kjo nuk do ta provokojë presidentin rus Vladimir Putin, përkundrazi, do ta pengojë atë nga agresioni i ardhshëm. Kur përballet me forcën, ai tërhiqet, siç e pamë të gjithë ne kur Grupi Ëagner marshoi drejt Moskës.

Me Putinin të dobësuar nga rebelimi, ekziston një mundësi që Ukraina të jetë pjesë e NATO-s. Nëse udhëheqësit e NATO-s nuk janë ende gati për të dhënë një ftesë në Vilnius, ata duhet të deklarojnë qartë se kur do të jenë.

Anëtarësimi ka kërkesa formale, por një ftesë jo. Gjithçka që kërkohet është largpamësia strategjike dhe vullneti politik.

Blloku i Fuqisë së Re të NATO-s

Nga Kristi Raik, zëvendësdrejtor i Qendrës Ndërkombëtare për Mbrojtje dhe Siguri

Një nga pasojat strategjike afatgjata të luftës së Rusisë kundër Ukrainës është se NATO po bëhet gjithnjë e më e madhe dhe më e fortë në Europën verilindore, harku i gjatë nga vendet nordike në shtetet baltike deri në Poloni.

Ky ndryshim i pushtetit do ta transformojë aleancën gjatë dekadës së ardhshme, duke e bërë atë më të aftë për të frenuar kërcënimin rus.

Rritja e aftësive mbrojtëse në verilindje të NATO-s do të ndihmojë që Europa të bëhet një aleat më serioz i SHBA-së.

Polonia, në veçanti, po ndërton një nga ushtritë më të forta në Europë, duke shpenzuar 4 për qind të PBB-së së saj për mbrojtjen në vitin 2023.

Anëtarësimi i Finlandës dhe (shpresojmë së shpejti) Suedisë do të shënojë një ndryshim strategjik edhe më të madh, duke forca të reja në NATO, duke përfshirë forcat tokësore shumë të afta të Finlandës dhe aftësitë e forta detare të Suedisë. Në vend që të jetë pika e dobët e NATO-s dhe një magnet i mundshëm për agresionin rus, Deti Baltik do të jetë një liqen virtual i NATO-s.

Asnjëherë më parë në histori të gjitha këto vende nuk i përkisnin të njëjtës aleancë ushtarake. Ndoshta më e rëndësishmja, blloku i ri verilindor brenda NATO-s do të injektojë qartësi strategjike në debatet europiane të sigurisë.

Vendet nordike, shtetet baltike dhe Polonia kanë qenë ndër mbështetësit më të fortë të Ukrainës, mbi të gjitha sepse këto vende kanë një interes ekzistencial të shohin Rusinë të mposhtet, raporton abcnews.al.

Po kështu, ata kanë një interes të fortë për garancitë e besueshme të sigurisë për Ukrainën pas luftës, zgjidhja më e besueshme dhe më efikase është anëtarësimi në NATO.

Aftësia ushtarake dhe qëndrueshmëria në mbarë shoqërinë që ukrainasit kanë demonstruar që nga shkurti i vitit 2022 nuk lënë asnjë dyshim se NATO do të forcohej në mënyrë thelbësore nga një anëtar i tillë i ri.

Arsyeja e dukshme që anëtarët verilindorë të NATO-s të bashkohen është një Rusi agresive që synon të rivendosë sferën e saj të vjetër të ndikimit. Këto vende nuk presin që kërcënimi rus të zvogëlohet së shpejti. Edhe nëse Rusia humbet në Ukrainë, ajo do të jetë në gjendje të rindërtojë forcat e saj brenda pak vitesh.

E rëndësishmja, Rusia nuk ka gjasa të heqë dorë nga ambicia e saj imperialiste për të rivendosur kontrollin mbi fqinjët e saj.

Krahu verilindor i NATO-s do të sigurojë që aleanca do ta marrë seriozisht Rusinë si një kërcënim afatgjatë dhe ekzistencial.

Në të njëjtën kohë, anëtarët verilindorë të NATO-s po bëjnë përpjekjet më serioze për të forcuar aftësinë e Europës në mënyrë që të mbrojë kufijtë e saj.

Ndryshe nga disa liderë të Europës Perëndimore, të cilët japin leksione për “autonominë strategjike” europiane dhe nevojën e supozuar për të mbajtur Shtetet e Bashkuara në distancë, vendet verilindore po fokusohen në veprat aktuale duke marrë përsipër një pjesë më të madhe të përgjegjësisë për sigurinë e Europës, gjatë gjithë kohës, duke shpresuar se kjo do të ndihmojë në mbajtjen e Shteteve të Bashkuara afër.

A është NATO gati për kaos në Rusi?

Nga Angela Stent, autore e Botës së Putinit: Rusia kundër Perëndimit dhe me pjesën tjetër

Rebelimi jetëshkurtër i udhëheqësit të Grupit Ëagner, Yevgeny Prigozhin dhe ushtrisë së tij mercenare kundër qeverisë ruse i kujtoi botës se autokratët duken të qëndrueshëm derisa të mos jenë të tillë.

Ndërsa liderët e NATO-s mblidhen në Vilnius, ata do të fokusohen në sfidën e menjëhershme të luftës Rusi-Ukrainë dhe si të ruajnë dhe rrisin mbështetjen për Kievin në kundërofensivën aktuale.

Por aleanca perëndimore në mënyrë të pashmangshme do të përballet me një Rusi më pak të qëndrueshme të armatosur me armë bërthamore.

NATO i është rikthyer misionit të saj fillestar të kontrollit,  Bashkimit Sovjetik atëherë, një Rusi gjithnjë e më agresive tani.

Por aftësia për të përmbushur atë mision do të varet nga kush mund të vijë në pushtet pas Presidentit rus Vladimir Putin.

Në rastin e pamundur që Putini do të zgjidhte një tranzicion të  ngjashëm me mënyrën se si ai erdhi në pushtet në 1999, atëherë ai ka të ngjarë të vendosë një pasardhës i cili fillimisht do të vazhdonte politikat e tij, duke përfshirë ndjekjen penale të luftës në Ukrainë.

Në atë rast, NATO do të fokusohej në politikat e saj të dyfishta aktuale të mbështetjes së Ukrainës dhe frenimit të Rusisë nga përshkallëzimi.

Por një tranzicion i tillë  mund të mos funksionojë nëse udhëheqësi i ri vendos të mos mbrojë interesat e elitës së Putinit. Në atë rast, ose nëse Putini do të largohej papritur nga skena pa asnjë pasardhës të zgjedhur, do të pasonte një luftë për pushtet, e ngjashme me atë që ndodhi pas vdekjes së diktatorit sovjetik Joseph Stalin.

Një Rusi më e paqëndrueshme me elementë të ndryshëm të shërbimeve të sigurisë që mbështesin palët kundërshtare mund të ngrejë shqetësime të reja në lidhje me disponimin e kokave bërthamore.

Europa ka të ngjarë të regjistrojë një valë refugjatësh.

Për t’u përgatitur për skenarë të ndryshëm të një Rusie të paqëndrueshme, të paparashikueshme, pas Putinit, NATO duhet të inkurajojë anëtarët e saj që të forcojnë aftësitë e tyre mbrojtëse, veçanërisht shtetet balltike të vijës së parë dhe Polonia.

Kjo përfshin armët ushtarake konvencionale dhe mbrojtjen kibernetike, por anëtarët e NATO-s gjithashtu duhet të parashikojnë një sërë kërcënimesh jokonvencionale nga një Rusi më pak e qëndrueshme, siç është armatimi i energjisë bërthamore, raporton abcnews.al.

Në rast të një tranzicioni të paqëndrueshëm ose më keq, aleanca do të duhet të përsërisë rëndësinë dhe zbatueshmërinë e vazhdueshme të mbrojtjes kolektive të Nenit 5. Dhe do të duhej t’i drejtohej ushtrisë ruse për të siguruar që të kishte komunikim të qëndrueshëm për çështjet bërthamore.

Skenari më i mirë i NATO-s për një Rusi pas Putinit do të ishte një lidership që hodhi poshtë mendësinë perandorake të Kremlinit aktual, kuptoi se zhvillimi dhe modernizimi i brendshëm ishin më të rëndësishëm për të ardhmen e Rusisë si një fuqi e madhe sesa agresioni kundër fqinjëve dhe ishte i gatshëm të rifillonte diskutimet mbi stabilitetin strategjik dhe sigurinë bërthamore.

Megjithatë, është e paqartë se si elitat ruse dhe publiku rus, të cilët janë ushqyer me një dietë të retorikës ksenofobike, nacionaliste për vite me radhë, do t’i përgjigjeshin një ndryshimi kaq rrënjësor në pikëpamjen e Moskës.

Me përjashtim të disa zhvillimeve të paparashikuara dhe Rusia gjithmonë mund të befasojë, ky skenar është ende pak larg dhe sfida e menjëhershme mbetet kufizimi i paqëndrueshmërisë brenda kufijve të saj.

Divizioni i ri i Punës i BE-së dhe NATO-s

Nga Liana Fix, anëtare e Evropës në Këshillin për Marrëdhëniet me Jashtë

Ndarja e vjetër e punës e Europës, NATO përgjegjëse për sigurinë e kontinentit dhe Bashkimi Europian për prosperitetin ekonomik nuk është më e qëndrueshme.

Kthimi i luftës në kontinentin europian për herë të parë që nga viti 1945 e ka bërë të qartë se NATO-ja duhet të bëhet më evuopiane dhe BE-ja më shumë një aktor sigurie.

Arsyeja është e thjeshtë: Mbrojtja përmes NATO-s do të thotë, në masë të madhe, mbrojtje nga Shtetet e Bashkuara. Me një luftë të vazhdueshme në Europë dhe një konflikt të afërt mbi Tajvanin në Azi, Shtetet e Bashkuara mund të zgjerohen.

Siç kanë rënë dakord tani të gjithë, europianët duhet të mbajnë më shumë barrë për sigurinë e tyre. Megjithatë, ndarja më e mirë e barrës vetëm brenda NATO-s nuk do të jetë e mjaftueshme.

Shumë vende europiane janë zotuar tashmë të rrisin shpenzimet e mbrojtjes pas pushtimit të Rusisë, por shpenzimet janë të pakoordinuara, të fragmentuara dhe kryesisht joefektive në reduktimin e varësisë së Europës.

Këtu hyn Bashkimi Europian. Planet madhështore të presidentit francez Emmanuel Macron për “autonominë strategjike” europiane të pavarur nga Uashingtoni janë ekspozuar nga pushtimi rus i Ukrainës si një fantazi joreale dhe e rrezikshme dhe janë kundërshtuar nga vendet e Europës Qendrore dhe Lindore edhe më parë.

Në një nivel më realist të ambicieve, BE-ja mund të japë një kontribut real dhe të qëndrueshëm për sigurinë europiane duke investuar në bazën industriale të mbrojtjes të Europës dhe duke financuar aftësitë ushtarake që u mungojnë europianëve.

Financimi i mbrojtjes europiane dhe koordinimi i prokurimeve nuk është një detyrë e NATO-s, e cila ka pak ndikim në atë se çfarë blejnë shtetet anëtare dhe si e financojnë atë, raporton abcnews.al

Këtu, BE-ja mund të bëjë një ndryshim aktual.

BE-ja ka pësuar tashmë një transformim të jashtëzakonshëm që kur Rusia filloi luftën e saj në 2022.

Asnjëherë më parë blloku nuk ka vepruar kaq shpejt dhe me vendosmëri gjatë një krize sigurie.

Për herë të parë, Brukseli përdori Mjetin Europian të Paqes, i krijuar në vitin 2021 për të financuar misionet paqeruajtëse, për të blerë drejtpërdrejt armë dhe municione për një vend jo anëtar të BE-së.

Për më tepër, BE-ja po financon një mision ndihme ushtarake për të trajnuar deri në 30,000 ushtarë ukrainas. Hapi tjetër logjik i BE-së duhet të jetë të bëjë për vete atë që ka bërë tashmë për Ukrainën: Financimi dhe ndërtimi i aftësive ushtarake që do t’i lejojnë europianët të bëhen kontribues të vërtetë të sigurisë, jo thjesht një barrë për Shtetet e Bashkuara.

BE-ja nuk mund dhe nuk duhet të zëvendësojë NATO-n. Megjithatë, vendet europiane duhet të fitojnë aftësinë për të kryer një mision luftarak të përmasave të mesme në fqinjësinë e tyre  pa Shtetet e Bashkuara dhe brenda kornizës së BE-së ose NATO-s.

Instinkti fillestar gjatë kohës së luftës është t’i përmbahemi asaj që ka rezultuar e suksesshme në të kaluarën. Megjithatë, kombinimi i luftës së Rusisë dhe kërcënimeve të shtuara të Kinës kundër Tajvanit është një pikë kthese kaq e rëndësishme, saqë gjërat duhet të ndryshojnë në mënyrë që të mbeten të njëjta. Për të mbrojtur të ardhmen aleancën më të suksesshme të mbrojtjes në botë për dekadën e ardhshme dhe për të garantuar sigurinë e kontinentit, NATO-s duhet të bashkohet me BE-në.

Trump dhe aleanca

Nga Ulrich Speck, kolumnist i marrëdhënieve të jashtme në Neue Zürcher Zeitung

Çfarë ndodh nëse ish-presidenti i SHBA-së, Donald Trump, zgjidhet në vitin 2024? Edhe nëse nuk do të tërhiqte Shtetet e Bashkuara nga aleanca, siç tha dikur Trump, një president i ardhshëm i SHBA mund të kufizojë angazhimin në Europë.

Pa Shtetet e Bashkuara, vlera e aleancës i afrohet zeros. Frenimi i Kremlinit varet nga besueshmëria dhe fuqia dhe për të ardhmen e parashikueshme, këto cilësi mund të sigurohen vetëm nga ushtria kryesore në botë.

Europianëve u mungon forca ushtarake dhe, më e rëndësishmja, uniteti strategjik për të penguar një kundërshtar të vendosur.

Franca ka pak besim në pjesën më të madhe të Europës dhe e fokusuar gjetkë dhe Britania është dobësuar nga Brexit, ndërsa Gjermania nuk ka një ushtri funksionale.

Vendet përgjatë kufirit lindor dhe verior të NATO-s kanë vullnet, por u mungojnë mjetet. Pa një parandalim të fortë dhe të besueshëm, Moska do të dyfishonte rifitimin e zotërimeve të saj të epokës sovjetike dhe lufta në të gjitha format e saj do të përhapej përtej Ukrainës.

Por rreziku i humbjes së Uashingtonit mund të zvogëlohet. Për të mbajtur Shtetet e Bashkuara të angazhuara si fuqia kryesore pas rendit europian të sigurisë, aleatët e saj duhet të rrisin masivisht pjesën e tyre të barrës, raporton abcnews.al.

Çelësi për çdo ndarje serioze të barrës mbetet Gjermania, pesha e rëndë ekonomike, qendra politike dhe gjeografike e Europës dhe partneri i ngushtë i pjesës më të madhe të Europës Qendrore dhe Lindore.

Gjermania duhet të bëhet fuqia kryesore rezervë për vendet e ekspozuara ndaj presionit rus.

Nuk do të jetë në gjendje ta bëjë këtë e vetme, jo vetëm sepse i mungon një parandalues ​​bërthamor, i cili mbetet thelbësor për të qenë në nivelin e syve me Kremlinin.

Por Berlini mund dhe duhet të marrë përsipër një pjesë shumë më të madhe të barrës, duke marrë pozicionin e “partnerit në udhëheqje” që presidenti i atëhershëm i SHBA George HË Bush i ofroi Gjermanisë në përfundim të Luftës së Ftohtë.

Një angazhim për të shpenzuar 3 për qind të PBB-së së saj për mbrojtjen, afërsisht duke dyfishuar 1.44 për qind që shpenzoi në vitin 2022  do të ishte një sinjal i fortë për Rusinë dhe Europën.

Duke ecur përpara në të njëjtën mënyrë siç ka bërë Japonia në Indo-Paqësorin, Gjermania do ta bënte shumë më të vështirë për çdo lider të SHBA-së që të fajësonte Europën që nuk mban një pjesë të drejtë të mbrojtjes së vetë kontinentit.

Një Gjermani, e gatshme për të çliruar Shtetet e Bashkuara nga një pjesë e madhe e barrës së saj europiane, jo vetëm që do t’u bënte përshtypje skeptikëve në Uashington, por do ta çonte marrëdhënien transatlantike në një epokë të re që nuk përcaktohet më nga kujtimet e Luftës së Ftohtë.

Diçka e tillë do ta kthente NATO-n në një element kyç të një arkitekture të botës së lirë në zhvillim që përfshin Shtetet e Bashkuara, Europën dhe aleatët dhe partnerët kryesorë aziatikë, duke përfshirë Indinë, Japoninë dhe Korenë e Jugut, raporton abcnews.al.

Një investim masiv në mbrojtjen gjermane do të ishte shumë më tepër se një mjet simbolik për të mbajtur të angazhuar Uashingtonin.

Ai do të bëhej baza për një ekuilibër të shëndetshëm dhe të qëndrueshëm midis Shteteve të Bashkuara dhe Europës, ruajtjen e rendit europian të sigurisë. Së fundi, do të ishte parakushti për çdo Plan B në rast se ndodh më e keqja dhe një president i ardhshëm i SHBA tërhiqet nga Europa, duke e lënë kontinentin të përballet me një Rusi neoimperialiste.

Roli i Kinës i NATO-s fillon në Europë

Nga A. Wess Mitchell, drejtor në Marathon Initiative

Koncepti Strategjik i NATO-s 2022 ndërmori një hap të parë të rëndësishëm duke e njohur Kinën si një sfidë sigurie, por tani aleanca duhet ta shnndërrojë këtë në veprime konkrete.

Kjo nuk do të jetë e lehtë: Kina nuk është një shqetësim për NATO-n dhe aleatët ndryshojnë në mënyrën se si të merren me Pekinin.

Por krijimi i një qasjeje koherente është thelbësore për përmirësimin e rezistencës kolektive të Perëndimit ndaj Kinës dhe për të forcuar aftësinë e Shteteve të Bashkuara për të penguar dhe nëse është e nevojshme për të luftuar një luftë që mund të ndodhë në Indo-Paqësor.

Ballafaqimi me Kinën fillon brenda forcës dhe ingranazheve të NATO-s. Aleanca funksionon me konsensus, precedent dhe detyra që rrjedhin nga deklaratat publike.

Kjo është arsyeja pse ishte kaq e rëndësishme që NATO përfshiu Kinën në deklaratat e samitit 2019, 2021 dhe 2022, si dhe në Konceptin e ri Strategjik.

Së pari, NATO duhet të zhvillojë plane emergjente për atë që do të bënte në rast të një lufte SHBA-Kinë. Një objektiv kryesor i diplomacisë kineze është të prishë kohezionin e aleancave të udhëhequra nga SHBA, dhe NATO.

Së paku, Këshilli i Atlantikut të Veriut duhet të jetë në gjendje të merret me çështjet e Kinës në mënyrë rutinore.

Së dyti, NATO-s i duhen mjete për të penguar aktivitetet kineze që minojnë aftësinë e saj për të kryer misionin e saj ushtarak.

Kjo përfshin kërcënimet ndaj infrastrukturës, telekomunikacionit, gatishmërisë ushtarake dhe ndërveprueshmërisë. Një NATO me ndikim kinez mund ta gjejë veten të paaftë për të mbrojtur veten kundër Rusisë në një skenar krize.

Së treti dhe më e rëndësishmja, NATO duhet të jetë më e aftë se sa është tani për të mbrojtur zonën e origjinës euro-atlantike.

Zemra e punës së NATO-s është në Europë.

Vitet e ardhshme do të jenë vendimtare për të përcaktuar nëse Perëndimi mund të shmangë një konflikt të madh me Kinën. NATO ka një rol vendimtar për të luajtur si një spirancë për stabilitetin global duke bërë punën e saj kryesore në Europë.

Mbrojtja e 500 milion europianëve është prioriteti i parë

Nga Ben Hodges, ish gjeneral komandant i Ushtrisë Amerikane për Europën dhe Afrikën

Në të gjithë Ukrainën, Rusia po përdor armë precize për të sulmuar ndërtesat e banimit, qendrat tregtare dhe infrastrukturën energjetike.

Është e qartë, për sa kohë që Rusia është një kërcënim për NATO-n, metodat e Kremlinit për të zhvilluar luftë kundër civilëve nënkuptojnë se mbrojtja e ajrore do të jetë e nevojshme në një shkallë shumë më të madhe sesa mendonte aleanca. Jo vetëm që infrastruktura kritike ushtarake duhet të mbrohet, siç parashikojnë planet aktuale, por NATO gjithashtu duhet të mbrojë gjysmë miliardë civilë europianë.

Aleanca nuk është e përgatitur për këtë. Prandaj, përmirësimi i shkallës, cilësisë dhe qëndrueshmërisë së mbrojtjes ajrore dhe raketore është detyra më urgjente ushtarake e NATO-s.

Siç e kemi parë në Ukrainë, sulmet e raketave, dronëve dhe avionëve të armikut ka të ngjarë të vijnë në tufa, nga drejtime të shumta dhe me shpejtësi dhe lartësi të ndryshme.

Mbrojtja fillestare kundër një sulmi të tillë ka shumë të ngjarë të jetë nga një shtet i vetëm anëtar ose grup shtetesh, derisa të aktivizohet neni 5 dhe NATO të vendosë të veprojë.

Ky kërcënim kërkon që anëtarët e NATO-s të integrojnë më mirë aftësitë e tyre të ndryshme dhe të zhvillojnë politikat dhe proceset e nevojshme për t’iu përgjigjur në çast çdo sulmi të papritur. Çfarë nevojitet?

  1. NATO duhet të sigurojë se ka një arkitekturë të përhershme, plotësisht të integruar IAMD për të kryer funksionet e paralajmërimit të hershëm dhe komandimit dhe kontrollit dhe për të mposhtur kërcënimet e ardhura gjatë tranzicionit nga koha e paqes në konflikt.
  2. Stërvitjet e shpeshta të përbashkëta shumëkombëshe duhet të testojnë dhe verifikojnë aftësitë e IAMD, duke përfshirë në një mjedis kontestues të simuluar.
  3. Vendet anëtare duhet të investojnë në avionë luftarakë të gjeneratës së ardhshme dhe në një sistem për Sistemin e Paralajmërimit dhe Kontrollit Ajror të NATO-s. Linja e parë e mbrojtjes ka shumë të ngjarë të jetë forcat ajrore, pasi vetëm mbrojtja ajrore me bazë tokësore nuk do të jetë në gjendje të mbrojë shumicën e zonave të synuara.

Aleatët europianë duhet të investojnë në avionë që optimizojnë ndërveprueshmërinë e aleancës. Kombet që nuk mund të përballojnë avionë ose sistemet e tyre moderne të mbrojtjes raketore mund të kontribuojnë duke blerë dhe marrë sensorë dhe mbështetje të tjera.

  1. NATO duhet të forcojë mbrojtjen ajrore dhe raketore me më shumë sensorë të anijeve dhe sisteme armësh.
  2. Anëtarët e aleancës duhet të rrisin aftësinë e tyre për t’u mbrojtur kundër një sulmi masiv e gjithëpërfshirës për një konflikt të zgjatur. Mbrojtja ajrore dhe raketore duhet të jetë e qëndrueshme për aq kohë sa zgjat kërcënimi.
  3. NATO duhet të përshpejtojë trajnimin e shpejtë të sistemeve Patriot në Poloni, Rumani dhe Suedi, një partner kyç në çdo emergjencë të ardhshme të Rusisë.
  4.  Aleanca duhet të kërkojë teknologji të reja që mund të ndalojnë sulmet e raketave balistike përpara se ato të mund të dalin nga platforma e lëshimit.
  5. NATO duhet të përmirësojë mbrojtjen pasive të objektivave ushtarake duke minimizuar zbulimin dhe dëmtimin nëpërmjet shpërndarjes, kamuflimit, mashtrimit dhe forcimit.

Nëse Rusia merr vendimin e tmerrshëm për të sulmuar NATO-n, ajo me siguri do të fillojë me sulme masive raketash dhe dronësh.

Perëndimi nuk mund të lejojë të jetë i papërgatitur. Parandalimi efektiv dhe nëse parandalimi dështon, mbrojtja kërkon një përmirësim të madh të mbrojtjes ajrore dhe raketore.

Bëjeni NATO-n një rrjet, jo një bllok

Nga Anne-Marie Slaughter, CEO e Neë America

A është NATO një bllok apo një rrjet?

Në samitin e aleancës 2012 në Çikago, anëtarët e NATO-s u takuan së bashku me 13 partnerë globalë të zgjedhur nga më shumë se 40 vende për kontributin e tyre kritik në operacionet e NATO-s.

Komunikata e samitit theksoi rëndësinë jetike të “një rrjeti të gjerë marrëdhëniesh partneriteti” dhe përqafoi partneritetin përtej bllokut si një element jetik të sigurisë bashkëpunuese.

Në një fjalim menjëherë pas atij samiti, Sekretari i Përgjithshëm i atëhershëm i NATO-s Anders Fogh Rasmussen përshkroi një lloj NATO-je të rrjetit global të përbërë nga “grupe aleatesh dhe partnerësh të gatshëm dhe të aftë të gatshëm për të bashkëpunuar në fusha specifike”.

Ai vizion i një NATO-je më horizontale, dhe bashkëpunuese është projektuar për të “fuqizuar, për të ofruar ndihmë dhe partneritet  aq sa për të mbizotëruar.”

Ky ideal është krejtësisht në kundërshtim me rolin e rinovuar aktualisht të NATO-s si mburoja e Perëndimit, një front i bashkuar i kombeve të përgatitura për të shtyrë kundër asaj që ka mbetur nga blloku lindor i Luftës së Ftohtë: Rusia dhe Bjellorusia, raporton abcnews.al.

Megjithatë, kur bëhet fjalë për avancimin e vlerave thelbësore të NATO-stë “demokracisë, lirisë individuale dhe shtetit të së drejtës”, pavarësisht nëse janë në rrezik brenda apo jashtë aleancës, qasja e rrjetit të ndërtimit të marrëdhënieve me kolegët midis grupeve të vendeve dhe zyrtarëve të tyre ka të ngjarë të funksionojë më së miri.

Kjo është mënyra se si funksionon Bashkimi Europian midis anëtarëve, me vendet kandidate që përpiqen të anëtarësohen, dhe në pjesën më të madhe të politikës së tij të jashtme.

Edhe pse NATO rinovon arsyen e saj origjinale të ekzistencës si një aleancë kolektive e sigurisë kundër Rusisë, anëtarët e saj do të bënin mirë të mbanin mend kërcënimet më delikate të sigurisë që gërryejnë institucionet e forta dhe të ndershme qeveritare në vendet anembanë botës, si dhe kërcënimet ekzistenciale joushtarake të të gjitha qeverive.

Rrjetet bashkëpunuese të sigurisë janë më të rëndësishme se kurrë.

/abcnews.al

 

 

 

 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!