“Dëgjuam zhurmën e një droni mbi burg”, arratisja e dështuar e Çekajt, 8 policë e 3 të paraburgosur nën hetim

schedule14:09 - 12 Gusht, 2021

schedule 14:09 - 12 Gusht, 2021

Nga Xhensila Kodra

Prokuroria e Tiranës ka çuar në 8 numrin e gardianëve të burgut 313 që po i heton për shpërdorim detyre, pas tentativës së arratisjes së Arbër Çekajt dhe Fatmir Pjetrit, pasditen e së dielës.

Ky veprim i organit të akuzës vjen pas dëshmive të reja që marrë nga disa të paraburgosur në këtë institucion. Burime pranë prokurorisë së kryeqytetit thanë për “ABC” se ata kanë deklaruar se të shtunën, vetëm një ditë para se të kryhej tentative e arratisjes, kanë dëgjuar zhurmën e një droni mbi burg.

Ky fakt, tashmë është duke u verifikuar nga ana e hetuesve, për të zbuluar vërtetësinë e dëshmive të mara në dy ditën e fundit.

Përveç 8 policëve të burgut, nën hetim për moskallëzim krimi, prokuroria ka marrë edhe 3 të paraburgosur. Ata dyshohen të kenë pasur dijeni për tentativën e arratisjes së Çekajt e Pjetrit.

Nën hetim janë vënë 3 të paraburgosurit që qëndrojnë më së shumti me ta në ambientet e ajrimit, si dhe dhomat e qelive i kanë përballë njëri-tjetrit.

Të mërkurën, Arbër Çekaj dhe Fatmir Pjetri dolën në gjykatë ku u njohën me akuzat e reja, përpos dënimeve të mara më herët për vepra të ndryshme penale.

Çekaj për trafik droge e Pjetri për grabitje, si pjesë e grupit të “Babagjyshëve”.

Në gjykatë si bashkëpunëtor dhe për moskallëzim krimi doli edhe Lulzim Çepele.

Para tentativës së arratisjes, ai preu damarët e dorës, që për hetuesit, kjo gjë ishte e qëllimshme, për të tërhequr vëmendjen e gardianëve.

/abcnews.al/

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!