Degjesë me banorët e Holtës, ministrat: Kryesor është interesi qytetarëve

schedule13:41 - 26 Janar, 2019

schedule 13:41 - 26 Janar, 2019

Në Prill të vitit të kaluar miratuan lejen e ndërtimit të burimit të ri gjenerues të energjisë, për hidrocentralin Strori në përroi e Holtës dhe Seltës, degë e lumit Devoll, Bashkia Gramsh. Rreth një vit më pas janë ulur të dëgjojnë pse banorët janë ngritur kundër ndërtimit të këtij HEC-i.

“Kush janë interesat më të shumta, të komunitetit apo interesat e shtetit për të ngritur një central kaq të vogël dhe sa mund të japë ky”?

“Për çfarë të bllokohej? Një të bllokuar atje, të bllokohet gryka dhe të bllokohen 2 kilometra këtu. Prandaj ju them na jepni ndihmë, na jepni dorë”.

Dy ministrat që i dëgjuan i siguruan se nuk do të realizohet asnjë projekt kundër vullnetit të banorëve.

Belinda Balluku: Reagimin e keni të menjëherëshëm dhe reagimi nuk ka të bëjë me Holtën vetëm. Siç ju thashë është një aksion që kemi ndërmarrë për të gjitha HEC-et për të parandaluar të gjitha problematikat.

Blendi Klosi: Ka grupe interesash, nuk diskutohet siç është grupi i interesit në ndërtimin e HEC-eve, por për ne grupi më i madh i interesit është ai i qytetarëve dhe për ne, opinioni dhe ajo çfarë mendojnë njerëzit është grupi më i madh i interesit.

Banori: Unë e du shqip llafin. Zonja Balluku të më thotë do ta bësh apo do e anulosh? Po e anulove do futesh në histori, po s’e anulove… s’e ke mirë me ne.

Belinda Balluku: Më bëre një pyetje dhe unë e nisa kështu dhe e them dhe njëherë. Këtu janë pezulluar punimet.

Në radhët e banorëve ishte edhe një përfaqësues i kompanisë që ka nisur punimet për ndërtimin e hidrocentralit. Ai kërkoi t’i sqarojë se kanioni nuk është dëmtuar dhe se nuk kishin shkelur asnjë ligj.

“Ju them gjithë banorëve që realisht ky projekt ka kaluar fazën e fizibilitetit dhe gjithë procedurën e fazës së projektit të studimit në respekt dhe në zbatim të gjitha procedurave ligjore që kanë të bëjnë me institucionet përgjegjëse për dhënien e lejeve përkatëse”.

Zëri që i mbështeti më shumë banorët ishte deputeti i qarkut të Elbasanit,njëhesh dhe kryetar i grupit parlamentar socialist, Taulant Balla.

“I dashur mik, përfaqësues i kompanisë së ndërtimit. E vërtëta është këtë gjë duhet ta kishit bërë shumë kohë më parë. Ne na thanë banorët që bllokohet hyrja në kanion . Nëse bllokohet hyrja në kamion, kamioni jo dëmtohet, por del jashtë çdo funksioni”.

Taulant Balla i dha edhe garancinë e fundit banorëve në emër të mazhorancës socialiste.

“Dua t’ju them të gjithëve që procesi i pezullimit do të shoqërohet me një proces shumë sqimtar për të parë letër për letër dhe detaj më detaj të gjithë projektin me garancitë që një qime floku t’i preket kësaj bukurie natyrore do të shkohet në anulim”./abcnews.al