Banka e Shqipërisë synon që të nxisë përdorimin e monedhës kombëtare në vend. Guvernatori Gent Sejko tha se synojnë që të bëjnë këtë gjë pasi mbrohen qytetarët nga efektet e luhatjet e kursit të këmbimit. Ekspertja ekonomike Suzana Guxholli tha se kjo nismë është e vështirë të realizohet.
Në një intervistë për emisionin “Sheshi i dollarit” me Genta Dobrën, ekspertja theksoi se monedhat e huaja janë më të besueshme dhe më të qëndrueshme sesa monedha shqiptare.
“Është e pamundur sepse deeurozimi i ekonomisë, një nismë e bankës qëndrore që ka filluar të jetë e dukshme nga 2017 nuk ka dhënë rezultat. Është shumë e vështirë që në një ekonomi si kjo e jona, jo e mbështetur mbi produktivitet dhe prodhim por mbi shërbime, dhe me kriza, ta bëjë këtë proces. Ekonomia shqiptare është e bazuar në monedhat e huaja sepse monedha jonë vendase akoma nuk e ka krijuar stabilitetin dhe besueshmëri që do t’i qëndrojë dhe rezistojë kohës për sa i përket vlerës që shprehet në kursin e këmbimit. Ndërsa euro është një monedhë që e besojnë të gjitha ekonomitë e zhvilluara prandaj në përgjithësi që nga viti ’90, njerëzit ishin të prirur të kishin kursime para dhe të vepronin më shumë në monedhë të huaj. “, theksoi ekspertja.
Ajo theksoi se Banka Shqiptare nuk mund ta kontrollojë kursin e këmbimit pasi këtë e vendos kërkesë oferta. Sipas saj, është e nevojshme që politikat e qeverisë të jenë më të qëndrueshme dhe afatgjata, duke i kombinuar ata me politikat monetare, për të sjellë qëndrueshmëri në ekonomi.
“Por për të bërë politika nxitëse që ajo të jetë gjeneratori i të ardhurave në buxhet dhe i rritjes ekonomike të qëndrueshme gradualisht rregullohen edhe treguesit e tjerë dhe njëkohësisht duke forcuar kontrollin e sektorëve në mënyrë që informaliteti të zvogëlohet. Po kështu edhe prurjet ilegale të parave të ulen dhe në këtë mënyrë politikat monetare do të jenë më të efektshme, dhe këto fenomene që në mënyrë artificiale e bëjnë lekun më të fortë, të minimizohen.”, theksoi ajo.
/abcnews.al