Debutimi përrallor i Haaland, pensionistët e Norvegjisë fërkojnë duart

schedule17:38 - 28 Janar, 2020

schedule 17:38 - 28 Janar, 2020

Erling Haaland është një nga surprizat më të bukura të këtij sezoni. 19-vjeçari norvegjez ka shënuar gola pafund me Salzburg në fazën e parë dhe po e përsërit veten edhe te Borussia Dortmund. Gjiganti norvegjez e ka nisur në mënyrë të shkëlqyer aventurën gjermane dhe ka shënuar 5 gola për… 57 minuta.

Një gol çdo 660 sekonda është një statistikë e frikshme dhe efikasitetit të Haaland po i gëzohen tifozët e Dortmund dhe… pensionistët e Norvegjisë. Bild zbulon prapaskenën interesante të investimin gjenial. Fondi i pensionistëve të vendit nga vjen Haaland, investoi 7 milion euro nëntorin e vitit 2018 për të blerë 1.08% të aksioneve të Dortmundit në bursë.

Që në momentin e firmës së sulmuesit me verdhezinjtë, fondi fitoi 260 mijë euro. Fitimet e tyre vijojnë të rriten pas çdo goli që shënon djaloshi norvegjez. Debutimi ka shkuar për mrekulli dhe deri tani ia ka dalë të shënojë 5 gola, duke lumturuar tifozët e klubit gjerman dhe patriotët e vjetër të tij. /abcnews.al