Debutimi me fitore në Turqi, “vëllai” Abazaj dhe ëndrra e madhe: Rrëfehet Rroca

schedule16:37 - 30 Shtator, 2020

schedule 16:37 - 30 Shtator, 2020

Eduart Rroca u largua nga Kukësi disa ditë më parë për t’u transferuar në divizionin e dytë të futbollit turk. Fantazisti zgjodhi Istanbulspor për të vijuar karrierën, duke firmosur një kontratë 5-vjeçare. 27-vjeçari debutoi si titullar në fitoren 1-3 ndaj Umraniyespor,. Objektivi është ngjitja në elitë, ëndrra e madhe mbetet kombëtarja kuqezi, teksa në prononcimin e dhënë për Supersport nuk mungon një koment për Kristal Abazajn, të cilin do e ketë sërish shok skuadre.

EKIPI I RI – “Kam pak kohë që jam pjesë e Instanbulsporit. Ndjehem shumë mirë, jam shumë i kënaqur me aventurën e re dhe mundësinë e re që mu dha. Përshtypjet janë shumë të mira dhe kushtet e ambientet stërvitore gjithashtu janë shumë të mira. Jam shumë i kënaqur dhe ndjehem mirë, pasi edhe debutimin e patëm me fitore. Shpresoj të vazhdojmë kështu”.

OBJEKTIVAT – “Objektivi personal është i njëjtë gjithmonë: të bëj më të mirën në fushë dhe të japim maksimumin. Shpresoj që të ndihmoj ekipin sa më shumë me performancën time dhe të jem i domosdoshëm për skuadrën në fushë, duke kontribuuar me asiste dhe gola. Objektivi i ekipit është të provojë ngjitjen në Super Lig, pasi i ka të gjitha kushtet dhe një organikë cilësore. Gjatë dy viteve të fundit në ekip vetëm janë shtuar futbollistë cilësorë dhe besoj se do t’ia dalim të kthehemi në Superligën turke”.

 

Abazaj dhe Rroca

ABAZAJ – “Me Abazajn jemi bërë si ata vëllezërit e pandashëm, pasi është i treti ekip që luajmë bashkë. Kemi zhvilluar ndeshje të mira bashkë dhe merremi vesh shumë mirë me njëri-tjetrin. Kjo do të na ndihmojë edhe te Instanbulspori, shpresoj që të bëjmë shumë mirë”

KUKËSI – “Kukësi ka pasur disa largime e firo, një pjesë e të cilave edhe të papritura. Por, unë besoj që do të ketë afrime këto ditë, pasi Kukësi është gjithmonë aty, mes pretendentëve”

ËNDRRA E MADHE – “Unë e kam thënë dhe vijoj ta them deri ditën e fundit që do të luaj futboll. Ëndrra që shpresoj të realizoj, është të marr një thirrje nga Kombëtarja Shqiptare. Do ta pres gjithmonë dhe shpresoj që të vijë, gjithmonë nëse do të paraqitem mirë dhe do të arrij objektivat me skuadrën ku jam aktualisht. Besoj që i kam cilësitë për të qenë pjesë e kombëtares”. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!