Debutim ëndërrash për Shkurtajn, Kukësi mposht Skënderbeun me 10 lojtarë

schedule18:48 - 23 Janar, 2022

schedule 18:48 - 23 Janar, 2022

Kukësi-Skënderbeu zhvilluan mes tyre sfidën e javës së 17-të të Abissnet Superiore, takim i cili përfundoi me rezultatin 1-0 për verilindorët me Vasil Shkurtajn që i jep 3 pikët e para për vitin 2022 skuadrës së Diego Longos.

Në “Loro Boriçi” 10 minutat e para të sfidës mes verilindorëve dhe korçarëve ishin të qeta, ndërsa djemtë e Diego Longos provuan në minutën e 17-të me  Emiliano Mustën të zinin në befasi portierin Rexhepi, i cili tregohet i vëmendshëm duke larguar topin me kokë.

Ndërsa në minutën e 22-të Skënderbeu kundërpërgjigjet me Marën që nis Berishëm, me portierin Tafas që largon rrezikun.

Vangjeli përsëri provon të rrezikojë por mbrojtësi Gligorov është i mirëpozicionuar në mbrojtjen e verilindorëve, të cilët menjëherë me kapitenin Shqiprim Taipi që gjuan nga distance në drejtim të kuadratit të Rexhepit por pa mundur të finalizojë gjuajtjen e tij.

35 minuta lojë dhe Kukësi mbetet me 10 lojtarë. Portieri Tafas “tradhëton” skuadrën duke bërë një ndërhyrje të gabuar ndaj lojtarit Mensah, ku arbitri kryesor nuk kishte dyshime duke nxjerrë kartonin e kuq, dhe goditje dënimi për Skënderbeun.

Longo merr menjëherë masa duke larguar Bytyçin dhe në fushë hedh portierin Xhika.

Mara në goditjen e dënimit ngalet nga traversa dhe pastaj nga një devijim i gardianit të verilindorëve.

Edhe pse me 10 lojtarë në fushë, Kukësi e mbyll në sulm pjesën e parë me Gj.Taipit  që ndalet nga shtylla.

Pjesën e dytë Kukësi e nis aty ku e la të parën, me Gjelbrim Taipin që gjuan fortë dhe këtë herë ngalet nga Bekim Rexhepi.

Nga krahu tjetër portiere Xhika mban në lojë verilindorët duke u bërë shpëtimtari I skuadrës në dy raste, ku fillimisht ndali tentativën e Elvi Berishës 58’, pastaj Nikajn 70’.

Minuta e 78 ishte e magjishme për sulmuesin e sapo rikthyer te skuadra e Kukësit. Vasil Shkurtaj shënon që me prekjen e parë të topit duke çuar peshë gjithë verilindorët. Meritë në këtë gol kishte padyshim edhe Gjelbrim Taipi, i cili që nga mesfusha asistoi në mënyrë përfekte për sulmuesin vlonjat.

1-0 për verilindorët në një ndeshje që luajti që nga pjesa e parë me një lojtar më pak, një sfidë që dhuroi spektakël të vërtetë në stadiumin e Shkodrës “Loro Boriçi”.  /f.a/abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!