Dëborë në Dardhë, Balluku inspekton rrugët: Të gjitha akset të kalueshme

schedule20:51 - 10 Dhjetor, 2021

schedule 20:51 - 10 Dhjetor, 2021

Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, e shoqëruar nga drejtori i Autoritetit Rrugor Shqiptar, mbrëmjen e sotme ishin për inspektim në zonën e Dardhës të qarkut Korçë për të parë nga afër masat e marrë në mënyrë që automjetet të qarkullojnë normalisht.

Balluku është shprehur se deri më tani situata është menaxhuar si duhet. Më tej ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë tha se po punohet edhe gjatë orëve të natës, teksa për të mbajtur të hapura rrugët nga dëbora.

“Pavarësisht mirëmbajtjes që ne bëjmë, e cila është konstante dhe gjatë këtij viti, deri më tani nuk kemi pasur asnjë eksperiencë të rrugëve të bllokuara. Grupi i emergjencave në ARRSH funksionon totalisht. Jemi të gjithë në kontakt me njëri-tjetrin, bëjmë raporte të përditshme për të kontrolluar të gjitha zonat, por nga ana tjetër duhet thënë që duhet padyshim kujdes nga të gjithë drejtuesit e automjeteve dhe çfarë është më e rëndësishme duhet që patjetër të përmbushin kushtet, gomat e dimrit, zinxhirët në të gjitha ato zona ku kërkohen. Po ashtu duhen respektuar të gjitha thirrjet e Policisë Rrugore dhe ARRSH-së për kushtet e motit në zona të ndryshme të Shqipërisë”, deklaroi Balluku.

“Presim në ditët në vazhdim të kemi reshje të dendura si dëbore ashtu dhe shiu, kështu që të gjitha grupet e ARRSH-së duhet të jenë gati për ta përballuar këtë proces sa më mirë, pa ndërprerje të qarkullimit në të gjitha akset e territorit”, u shpreh Balluku./abcnews.al/

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!