Dëbimi i mësuesit turk, Çavushoglu përgëzon qeverinë shqiptare: Presim të vijojmë më tej

schedule17:19 - 12 Shkurt, 2020

schedule 17:19 - 12 Shkurt, 2020

Shefi i diplomacisë turke Mevlut Çavushoglu, përgëzoi Shqipërinë për vendimet e marra kundrejt mbështetesve të lëvizjes së klerikut Fetullah Gylen.

“Shqipëria ka hedhur disa hapa, presim të vijojmë më tej” , u shpreh Cavushoglu gjatë një konference shtypi me homologun Gent Gakaj.

Deklarata e  Ministrit Çavuşoglu pason ekstradimin e mësuesit turk Harun Çelik, i cili u dëbua në janar nga Shqipëria, megjithëse kishte kërkuar azil pasi i rrezikohej jeta në Turqi. Pas ekstradimit, gjykata turke e dënoi atë me burg. Me këtë deklaratë Çavushoglu hedh poshtë pretendimet e atuoriteteve shqiptare të cilat deri tani kanë publikuar një tjetër version për ngjarjen.

Vetë ministri i Brendshëm, Sandër Lleshaj e cilësoi dëbimin e Harun Çelik si një veprim krejtësisht administrativ ndaj një personi që kishte përfunduar dënimin për shkeljen e kryer këtu, i cili dërgohet më pas në vendin e tij.

“Ka me mijëra qytetarë shqiptarë që dëbohen nga vende të BE, ku në 2018 janë dëbuar 9 900 persona. Në vitin 2019 janë dëbuar 7150 shqiptarë nga vende të ndryshme të BE”, deklaroi Lleshi.

Ekstradimi i anëtarëve mbështetës të Gylen dhe mbyllja e shkollave turke në Shqipëri ka qenë vazhdimisht një kërkesë e Presidentit turk Erdogan, që pas grushtit të shtetit në vitin 2016. Ministri i Jashtëm Çavushoglu tha se Shqipëria ka bërë hapa para sa i përket dëbimit të mbështësve te Gylen, në vendin tonë.

“Nuk ka shifra se sa anëtarë të FETO-s ka në Shqipëri, por ka me qindra. Kemi kërkuar rikthimin e tyre. Shqipëria ka hedhur disa hapa, presim që të vazhdojë përpara me to. Nuk duam që anëtarët e FETO-s të qëndrojnë në Shqipëri. Ja shpjegova vëllait tim Gentit dhe do t’ia shpjegoj edhe kryeministrit Rama se FETO përbën rrezik për sigurinë kombëtare”, u shpreh ai.

Kryeministri Rama ishte ndër të parat që u solidarizuan me kërkesat e Presidentit Erdogan pas grushtit të shtetit në korrik 2016.

Në nëntor të atij viti, Ministria e Arsimit e Shqipërisë miratoi kërkesën e Ambasadës turke për ndalimin e përdorimit të emërtimeve dhe simboleve turke në institucionet arsimore jopublike në Shqipëri.

Në lidhje me dëbimin e Harun Celik reaguan mjaft institucione ndërkombëtare, përfshirë edhe eurodeputetë, të cilët e konsideruan një shkelje të të drejtave të njeriut, gjë që rrezikon rrugën integruese të Shqipërisë në BE.

Shimshek i parapriu dëbimit me një kërkesë për azil në Shqipëri, dorëzuar në Drejtorinë e Kufirit dhe Emigracionit, por që nuk u mor parasysh nga autoritet shqiptare të cilat e dëbuan atë në mënyrë ekstraligjore drejt Turqisë./abcnews.al