Dëbimi i diplomatëve rusë/Kremlini premton kundërpërgjigje

schedule13:05 - 27 Mars, 2018

schedule 13:05 - 27 Mars, 2018

Kremlini ka paralajmëruar për një kundërpërgjigje të ashpër ndaj dëbimeve të diplomatëve të saj nga mbi 20 shtete të botës, përfshirë Shqipërinë. Ministria e Jashtëme e Rusisë i konsideroi këto veprime si armiqësore.

Rusia është zotuar se do të ndërmarrë një kundërpërgjigje të ashpër për vendimin e mbi 20 shteteve të botës, mes tyre dhe Shqipëria, për të dëbuar diplomat të Moskës, që erdhi për shkak të helmimit të një ish spiuni me substancë kimike në Britaninë e Madhe. Zëvendësministri i Jashtëm Sergei Ryabkov veçoi SHBA-të pasi dëboi 60 diplomatë dhe mbylli një konsullatë, por tregoi se dialogu do të vazhdojë. Dëbimi i rreth 100 rusëve mendohet të jetë më i madhi në histori. Ajo vjen pas helmimit të ish agjentit të dyfishtë rus Sergei Skripal dhe vajzës së tij Julia muajin e kaluar.

Ministria e jashtme e Rusisë i quajti dëbimet masive një “veprim jo miqësor” dhe tha se “nuk do të shkojë pa kundërpërgjigje”. Ministria thuhet se po harton një numër masash të mundshme hakmarrëse për presidentin Vladimir Putin për t’u marrë në konsideratë. Një senator rus, Vladimir Dzhabarov, u citua të thoshte se do të kishte një përgjigje “të fshehtë” për vendimin e SHBA-ve për të dëbuar 48 të dërguar në ambasadën ruse në Uashington dhe 12 të tjerë në OKB në Nju Jork. Selia diplomatike e Kremlinit në SHBA madje hapi një sondazh në profilin e saj në tuitër për mbylljen e një konsullate amerikane.

Për dëbimet ka reaguar edhe ambasadori rus në Kombet e Bashkuara, Vassily Nebenzia. Ai akuzoi Uashingtonin se ka abuzuar me pushtetin pasi është vendi në të cilën gjendet selia e OKB-së. Ai e konsideroi vendimin si një akt “shumë armiqësor”.

Ndërkohë, hetuesit besojnë se për sulmin ndaj Skripal dhe të bijës është përdorur një agjent nervor i nivelit ushtarak. Liderët e Bashkimit Europian u dakordësuan me Britaninë se Rusia qëndron prapa vrasjes së mbetur në tentativë. Për këtë shumë shtete të BE-së si Franca, Gjermania, Polonia Holanda, Italia, Spanja e shumë të tjerë vendosën të mbështesin nismën e Britanisë së Madhe për të dëbuar diplomatë të Rusisë. Kësaj linje iu bashkuan edhe vende si Shqipëria, Australia, Kanadaja, Maqedonia, Ukraina dhe Norvegjia. Ndërsa Islanda ka njoftuar pezullimin e dialogut të nivelit të lartë me autoritetet e Kremlinit dhe se liderët e saj nuk do të marrin pjesë në Kupën e Botoës që fillon në qershor. Më herët, Londra dëboi 23 diplomatë rusë për helmimin e ish spiunit. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!